Ditë e rëndësishme për Kosovën, teksa Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës shqyrton sot, aplikimin e Kosovës në këtë institucion.
Siç bëhet e ditur, kjo do të jetë e vetmja pikë e rendit të ditës. Saktësisht në agjendën e Komisionit për Politikë dhe Demokraci thuhet se do të diskutohet opinioni i përgatitur nga raportuesja Dora Bakojanis.
Këshilli i Europës bën të ditur se pasi të marrë dritën jeshile nga komisioni, draft-raporti duhet të diskutohet dhe të miratohet nga Asambleja.
Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, shkruan në rrjetin social X se opinioni i ish-ministres së Jashtme të Greqisë, aktualisht raportuese për komisionin e çështjeve politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thotë se Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Në atë që duket të jetë një referencë ndaj çështjes, presidenti serb Aleksandër Vuçiç paralajmëroi se Serbinë e presin ditë të vështira.
“Interesat jetike të vendit kërcënohet drejtpërdrejtë’, ka thënë Vuçiç i cili thekson se Serbia do të luftojë dhe do të fitojë.
Sakaq, ministri i Mbrojtjes Milosh Vuçeviç, foli për një festival të hipokrizisë sa i përket të drejtës ndërkombëtare, duke thënë se kjo është hera e parë që një territori që sipas tij nuk është shtet në kuptimin e plotë i jepet mundësia për anëtarësim në Këshillin e Europës. (A2 Televizion)