“S’ka kthim mbrapa për dinarin”, Konjufca fton opozitën: Zgjedhjet në verë apo vjeshtë, vendosni!

Nga Ideal Gola
25 Mars 2024, 17:10 | Politikë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përsëriti se është i pajtimit që të mbahen zgjedhje të reja të parakohshme në Kosovë.

I pyetur nga A2 CNN, Konjufca u shpreh se nuk ka pasur ndonjë kërkesë për shpërndarjen e Kuvendit por nuk përjashtoi mundësinë që ndonjë grup parlamentar të fillojë mbledhjen e firmave së shpejti pasi “të gjithë duan zgjedhje këtë vit”.

“Ky vit i ka edhe disa muaj, nuk mund t'ju them saktë se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje por ju e keni dëgjuar edhe kryeministrin (Albin Kurti) që ka thënë se do të ishte në mbështetje të një iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje, vetëm duhet të ulemi me partitë politike dhe ta specifikojmë se cila është koha më e përshtatshme, a është vera a është vjeshta”, thotë Konjufca.

Konjufca u ndal edhe të çështja e dinarit që ka ulur sërish të hënën në tryezën e dialogut Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se pozicioni i Kosovës është shumë i qartë dhe pa dykuptimësi.

“Ka edhe një përpjekje tjetër ndërkombëtare që të mund të gjejmë një hapësirë të afrimit të qëndrimeve, deri tash kjo nuk ka ndodhur. Nuk kam ndonjë mendim specifik se a do të ndodhë kësaj radhe”, shtoi më tej Konjufca.

Konjufca tha se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës është i duhuri dhe nuk ka kthim mbrapa, ndërsa për pasojat eventuale duhet të adresohen në mënyrë të veçantë.

“Sa i përket jetës praktike se si funksion komuniteti serb atje, pagat, beneficionet, pensionet e çka janë ato, për ato mund të gjendet ndonjë zgjidhje se si të paguhen dhe si të kryhen. Por, se a do të kthehet sërish dinari si çështje valutë së transaksionit në Kosovë, unë nuk besoj që ka kthim mbrapa më”, vijoi Konjufca.

Ndërkombëtarët po kërkojnë me ngulm që të pezullohet vendimi i Bankës Qendrore që nuk lejon asnjë valutë tjetër përpos euros të qarkullojë në Kosovë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos