
Kosova ka hyrë sot në ditën kyçe për zgjedhjen e presidentit të ri, ku deri tani nuk ka një marrëveshje politike për emrin që do të marrë postin e kreut të shtetit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se do të bëjë përpjekje edhe pasdite për ta finalizuar procesin por ende nuk dihet nëse do të ketë seancë apo në cilën orë mund të mbahet ajo.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është shprehur i bindur se, pas mesnatës, Kosova do të futet në afatet kushtetuese për zgjedhje të reja, për shkak të asaj që ai e quajti “dështim” të institucioneve për të arritur marrëveshje për postin e presidentit. Ai ka thënë se nuk do të ketë më takime me kryeministrin Kurti. Lëvizja Vetëvendosje, që tashmë ka propozuar ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën, për këtë post ka kërkuar që opozita ta propozojë kandidatin tjetër.
Kjo kërkesë shihet si e paarsyeshme nga kreu i LDK-së. Pas përfundimit të seancës për Epopenë e UÇK-së, presidentja Osmani është pyetur nga mediat nëse do të kandidohet nga kryeministri Kurti . Por ajo u kërkoi gazetarëve që bashkarisht të respektonin Epopenë.
Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit, ka sinjalizuar se ajo mund të mbajë një konferencë për media më vonë gjatë ditës. Ndërkohë kryetari i PDK Bedri Hamza, tha se partia e tij kërkon një marrëveshje politike që i propozuari i tyre të zgjidhet president i vendit. (A2 Televizion)