"Do ketë pasoja juridike", Osmani: Kriza e konstituimit do përfundojë në Kushtetuese

Nga Erjon Dervishi
4 Korrik 2025, 15:14 | Politikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se nëse nuk konstituohet Kuvendi, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim se çfarë ndodhë pas 30 ditësh. Sipas Osmanit, duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e “mos kryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit”. Pas ceremonisë së diplomimit të kadetëve, Osmani para gazetarëve tha se edhe sot do të ketë takime me partitë politike. Ajo theksoi se bllokada tek lloji i votimit është jo racionale.

“E para nuk i kam përfunduar ende takimet, janë edhe disa parti politike të cilat do t’i takojë sot sepse kam dashur që të dëgjojë individualisht nga secila parti, pavarësisht se sa deputetë i kanë ato në parlament. Sepse siç e dini konstituimi i Kuvendit varet edhe nga vullneti i secilit deputet të Republikës së Kosovës. Kemi pasur takime të mira por natyrisht që partitë kryesore i kanë qëndrimet ende diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim. Ka për disa gjëra që mund të ketë pajtim dhe unë do të shpresoja që të ketë sepse mendoj që bllokada tani tek lloji i votimit është shumë shumë jo racionale.

Kryetarja e shtetit më tej theksoi se në takimet me liderët e partive ka theksuar kur “diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, mos kryerja e këtij detyrimi nuk ec pa pasoja”.

“Tani siç e dini i kemi edhe dy ose tri lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese për mënyrën e votimit. Dhe unë nuk e di në qoftë se në këto lëndë është kërkuar masë e përkohshme që mos të ec afati. Mirëpo në qoftë se nuk ka masë të përkohshme për mos rrjedhjen e afatit, atëherë neve na kanë mbetur më pak se 25 ditë, dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ashtu siç e kam potencuar në të gjitha takimet me partitë, nuk e lejon si opsionale konstituimin brenda 30 ditësh, por e qartëson duke marrë për bazë edhe interpretimet e shteteve të ndryshme në sisteme të ngjashme kushtetuese. E sqaron që kjo është e detyrueshme dhe ajo çfarë e kam përmendur në këto takime dhe do të vazhdojë ta them është që kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, kjo do të thotë që mos kryerja e këtij detyrimi nuk ec pa pasoja. Pra do të ketë pasoja juridike, nuk është që ne mund të presim që Gjykata Kushtetuese ‘mirë pas 30 ditësh vazhdoni njësoj, takoheni çdo dy ditë dhe mos bëni asgjë", shtoi ajo.

Ajo paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarim nëse shpejt nuk do të konstitohet legjislatura e nëntë e Kuvendit.

“Unë do të planifikoj në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim lidhur me atë se çfarë pas 30 ditësh. Sepse duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e mos kryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh. Sepse duhet të ketë pasoja juridike. Do të flas më gjatë kur t’i përfundojë takimet me partitë politike lidhur edhe me përmbajtjen e takimeve por edhe lidhur me planet që i kemi gjatë ditëve në vijim”, theksoi Osmani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur edhe vlerësimin e ekipit të saj ligjor sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për votimin e fshehtë. Ajo tha se lejohet si mundësi por para një hapi të tillë duhet të pyetet kuvendi.

“Akgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar më shumë hapësirë për më shumë interpretime. Edhe zakonisht kur i keni dy jurista në një sallë, i keni pesë interpretime të ndryshme nga dy persona. Edhe pse jam vet juriste dhe kam ligjëruar edhe të drejtën kushtetuese edhe në Kosovë edhe në ShBA, megjithatë në cilësinë e presidentes unë gjithmonë ja lë vlerësimet juridike ekipit tim ligjor dhe shumë ekspertë të jashtëm që po ashtu janë profesorë të kësaj fushe. Dhe konstatimi i ekipit tim ligjor me të cilin unë pajtohem është që në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi, votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë për këtë kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, tentim të seancës para se të shkohet tek një mënyrë e tillë”, deklaroi ajo.

Në këtë aktgjykim, Osmani tha se i jepet një rëndësi e madhe analizës se “a po e kryjnë deputetët funksionin e tyre". Sipas saj, nëse deputetët nuk arrijnë të kryejnë funksionin e tyre brenda 30 ditësh atëherë kjo është prej shkeljeve më të rënda.

“Populli nuk po mundet të ushtrojë sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, kjo është një prej shkeljeve më të rënda që nga dita kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës është miratuar. Prandaj, po e them edhe një herë në qoftë se brenda 30 ditësh nuk konstituohet Kuvendi, nuk do të kalojnë pa pasoja. Unë jam e bindur që Gjykata Kushtetuese do të sqarojë se cilat do të jenë ato pasoja”.

Deputetët do të mblidhen sërish nesër, për herë të dyzet e dytë, për të tentuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos