Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet për herë të 41 kur u mblodh të enjten. Tri partitë kryesore, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese secila me kërkesa të ndryshme, shkruan A2 CNN.
Partia e Kurtit akuzon ish-partitë e opozitës se po bëjnë shkelje kur po refuzojnë të marrin pjesë në votimin për ngritjen e komisionit për menaxhimin e votimit të fshehtë.
“Deputetët janë të obliguar të gjithë të marrin pjesë dhe të votojnë, ajo çfarë po shohim nga deputetët e opozitës është që në vazhdimësi refuzojnë të marrin pjesë në votim e që për ne kjo përbën shkelje të Kushtetutës dhe krejt çfarë mbetet është konstatimi i shkeljes së Kushtetutës sepse shkelja po ndodh tashmë”, tha Hekuran Murati nga Vetëvendosje.
Partia Demokratike konsideron se insistimi në votim të fshehtë dhe ngritjen e komisioni është shkelje nga ana e kryesit të seancës, deputetit të Vetëvendosjes Avni Dehari.
“Tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë qenë shkelje e qëllimshme dhe me vetëdije e Kushtetutës nga ana e kryesuesit të seancës me instruksione të partisë së tij dhe ne s’mund të qëndrojmë duarkryq”, tha Memli Krasniqi.
Edhe Lidhja Demokratike konfirmoi se grupi i saj i juristëve është duke përgatitur lëndën për Kushtetuese në lidhje me devijimet nga rendi i ditës. “Kemi një aktkgjykim të Gjykatës Kushtetuese që thotë qartë se duhet të respektohet rendi i ditës dhe duhet që praktika e zgjedhjes të bëhet sipas praktikave të deritanishme parlamentare, praktikat e deritanishme parlamentare kanë qenë gjithmonë votim i hapur siç është bërë deri më tash gjithmonë në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës asgjë e re, por sa herë vijnë këta [LVV], atëherë zbulojnë diçka të re, një pengesë të re”, tha kreu i saj, Lumir Abdixhiku.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, ndërsa me vendim të Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar që data 26 korrik të jetë dita e fundit për mbylljen e kësaj seance. (A2 Televizion)