Kuvendi në bllokadë!  “Kokëfortë si gomerë”, protesta kundër deputetëve

Nga A2 CNN
3 Korrik 2025, 17:09 | Politikë

Paralelisht me seancën e 41 për konstituuimin e Kuvendit të Kosovës, në hapësirat e jashtme të këtij institucioni u protestua me parulla dhe aksione simbolike.

Avokati Arianit Koci solli katër gomarë për të ironizuar deputetët që nuk po binden për të mbyllur seancën konstituive.

“Gomari është simbol i kryeneçësisë, dua të tregoj që deputetët janë kryeneçë në dëm të qytetarëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë dua të simbolizoj që të mos na trajtojnë si gomarë se ne po e kuptojmë lojën e tyre”, tha avokati Koçi.

Ai bëri fajtor Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti që tha se ka mundësi të zhbllokojë situatën duke ndryshuar emrin e kandidatit për kryeparlamentar.

“Kjo do të vazhdojë pafundësisht nëse nuk bëjmë presion apo nëse nuk i ndal Gjykata Kushtetuese e cila në këtë rast, thënë më së buti, është treguar shumë joefikase me vendimin të cilin nuk e ka artikuluar sa duhet për nivelin politik të cilën ne e kemi”, shton Koçi.

Në hyrje të Kuvendit protestuan edhe pjesëtarë të shoqërisë civile të cilët sërish ngritën shqetësimet e tyre me pasojat e mungesës së krijimit të institucioneve të reja.

Sipas tyre, zgjidhja mbetet tek kompromisi dhe partitë duhet të marrin përgjegjësitë politike dhe të ofrojnë zgjidhje.

“Nëse këta deputetë nuk janë në gjendje që këtë vullnet që e kanë marrë nga qytetarët ta përkthejnë në konstituim të Kuvendit për formim të qeverisë dhe të institucioneve atëherë në një mënyrë edhe zgjedhjet e 9 shkurtit deligjitimohen që nuk ka kurrfarë kuptimi”, shprehet Ehat Miftaraj.

Anëtarët e shoqërisë civile paralajmëruan edhe protesta të tjera në ditët kur caktohen seancat e radhës për konstituuimin e Kuvendit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos