Kosova dhe Belgjika shënuan një hap të ri bashkëpunimi dypalësh pasi shteti belg vendosi të njohë zyrtarisht atasheun e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës atje. Lidhur me këtë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u shpreh mirënjohës për mbështetjen belge që nga viti 2008, duke e cilësuar këtë vendim si një hap domethënës në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Ndërsa homologu i tij tregoi dhe njëherë gatishmërinë e Belgjikës për ta mbrojtur Kosovën.
“Faleminderit për këtë lajm të jashtëzakonshëm për vendin tonë, këtë lajm me peshë të madhe që Belgjika, kryeqyteti i dy destinacioneve të vendit tonë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, po njeh pra praninë e atasheut të mbrojtjes së Republikës së Kosovës pikërisht në Bruksel, gjë që na jep mundësinë për të thelluar bashkëpunimin me Belgjikën si një vend i yni partner”, tha Maqedonci.
“Dje në mbrëmje dhe sot në mëngjes u takuam, vizituam ushtarët tonë të KFOR-it sepse ata janë të rëndësishëm për sigurinë e shtetit dhe për stabilitet në Ballkan dhe unë mendoj se për ne është shumë e rëndësishme të kemi këtë mision së bashku me tre shtetet e Beneluksit. Ne kemi pilot dronësh që punojnë këtu dhe është hera e parë brenda 10 vitesh që kemi shumë njerëz në territorin tuaj për të mbrojtur Kosovën. Pra unë jam dikush që gjithmonë ka qenë shumë mbështetës ndaj rastit të Kosovës. Belgjika është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e shtetit tuaj dhe është shumë i rëndësishëm për ne.
Dhe është në atë sferë, në atë frymë, ne duam të lajmërojmë sot zyrtarisht se atasheu ushtarak do të pozicionohet në Bruksel. Unë nuk jam ministër i Punëve të Jashtme, unë kam trupa nga Belgjika të stacionuar në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe pilotë dronësh profesionistë, unë nuk kam komandë sepse nuk jam ministër i Punëve të Jashtme por ajo që mund të them është se qeveria e re belge anon nga Kosova, për t’i mbajtur qytetarët e Kosovës të sigurt dhe për të thënë se Kosova është Europë”, u shpreh homologu belg Theo Francken. (A2 Televizion)