Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti komentuan masat e presidentit Aleksandër Vuçiç duke i konsideruar si të pa rëndësishme për Kosovën dhe pjesë të fushatës për konflikte të reja. Osmani u pyet edhe për faktin se Bashkimi Evropian i mirëpriti deklaratat, duke thënë se Vuçiç dëshironte pikërisht të tërhiqte vëmendjen nga synimet e tij të vërteta për destabilizim.
“Pikërisht kjo deklaratë e Vuçiçit për rikthimin e serbëve në institucione ka qenë vetëm për t’i hedhur hi syve të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë por në fakt Vuçiçi kur e thotë këtë nuk e mendon dhe as nuk e dëshiron”, u shpreh presidentja Osmani, raporton A2.
“Ato kërkesat e tij, masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin jo racionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, tha Kurti.
Osmani është pyetur edhe nëse Vuçiç është trimëruar pas marrëveshjes me dy vendet kryesore të BE-së, me Gjermaninë për litiumin dhe me Francën për avionët, por ajo tha se presidenti serb i di kufijtë.
“Vuçiçi mund të mendojë se është i fuqishëm mirëpo ai në të njëjtën kohë i di kufijtë shumë mirë sepse bota demokratike e udhëhequr nga SHBA ia ka bërë atij të ditur shumë mirë kufijtë dhe këtë ia bën çdo ditë kështu që ata e dinë se në qoftë se tentojnë diçka të tillë si Banjska sërish, përsëri do të dalin humbës”, citon A2 presidenten kosovare.
Në fund, Osman iu pyet edhe për bisedimet në Bruksel, por duke shprehur rezervat e saj për procesin shtoi se çështjet e brendshme si hapja e urës së Ibrit nuk duhet të diskutohen me Serbinë.
“Problemi është që ky dialog ka që një kohë që nuk po dëshmon se po organizohet në përputhje me parimin e barazisë së palëve, pra në asnjë moment nuk shihet që të dy palët po trajtohen të barabarta”, theksoi Osmani.
Ndryshe nga Osmani, kryeministri Kurti nuk ka pranuar të deklarohet rreth takimit në kuadër të dialogut që u zhvillua të martën në Bruksel. (A2 Televizion)