Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar pjesëmarrjen më të madhe të grave në jetën publike dhe politike.
Në konferencën “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, tha se dhuna në bazë gjinore mbetet një sfidë e shoqërisë kosovare, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për luftimin e saj, shkruan A2.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se kanë ndërmarrë disa nisma ligjore për parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore: “Për fat të keq dhuna në baza gjinore mbetet një sfidë shumë e madhe e shoqërisë sonë, përkundër përpjekjeve tona të përbashkëta për luftimin e saj... Përkundër një aktivizimi dhe një fushate që po shtohet gjithnjë e më shumë, kjo nuk po reflektohet me rënien e numrit të rasteve të dhunës në familje dhe të dhunës ndaj grave dhe vajzave... Jemi dëshmitarë që rastet e dhunës ndaj grave vitet e fundit janë rritur, ashtu siç është rritur ndjeshëm edhe raportimi i rasteve të tilla në institucionet përkatëse”.
Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, u shpreh: “Republika e Kosovës, respektivisht qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë ka bërë hapa të rëndësishëm përmes miratimit të ligjeve specifike dhe marrjen e një sërë masash të nevojshëm që trajtojnë dhunën ndaj grave dhe barazinë gjinore. Ndër to është miratimi i Strategjisë për mbrojtjen nga dhuna në familje... Përveç këtyre masave të ndërmarra nuk mund të anashkalojmë as nevojën për ndërgjegjësinë të vazhdueshëm. Shoqëria jonë duhet të edukojë breza të rinj mbi parimin e barazisë gjinore, respektin dhe solidaritetin. Edukimi është baza për parandalimin e dhunës dhe krijimin një kulture të tolerancës dhe barazisë” (A2 Televizion)