Të enjten është debatuar edhe rreth Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Deputetët opozitarë thanë se projektligji nuk i adreson rekomandimet e Komisionit të Venecias, por kjo u hodh poshtë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partitë opozitare akuzuan pushtetin se nuk e ka seriozisht reformën në drejtësi gjatë diskutimeve për Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës i cili erdhi në Komisionin për Legjislacion.
Opozita ngriti shqetësimet se projektligji nuk ka adresuar rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Unë normalisht që do ta votoj kundër dhe po ju them që kjo çështje fatkeqësisht do të përfundojë përsëri në Gjykatë Kushtetuese sepse jemi të vendosur që të mbrojmë kushtetutshmërinë në Kuvend”, tha Dritan Selimi.
“Projektligji adreson rekomandimet e Komisionit të Venecias, merr për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka asnjë arsye, asnjë element antikushtetues”, u shpreh Adnan Rrustemi.
Deputetët e opozitës theksuan me këtë projektligj po cenohet edhe pavarësia e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Kjo mazhorancë e ka parë se i ka pasur numrat për të bërë reformë në drejtësi sikur ta kishte vullnetin, por prej fillimit ka luajtur ping-pong. Edhe u lidh në ata numrat se qysh me zgjedh kryeprokurororin. Me pas njëmend që ta luftojë korrupsionin, nuk e kish lënë katër vjet Kosovën pa kryeprokuror”, shtoi Beqa.
“Problemi kryesor për mua është përbërja, unë mendoj me këtë përbërje të KPK-së është ka cenohet pavarësia institucionale, pavarësia që i delegohet me kompetencë dhe mandat dhe mbi të gjitha po i hapen dyert këtij institucioni me pas ndikim të drejtpërdrejt politik”, tha Besnik Tahiri nga AAK.
Kuvendi i Kosovës kishte kaluar një Ligj për Këshillin Prokurorial para më shumë se një viti, por më pas Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të PDK dhe LDK e shpalli të njëjtin si antikushtetues. (A2 Televizion)
Reformat në drejtësi, pozitë e opozitë përplasen për projektligjin për KPK
