Zbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është shndërruar në detyrim për procesin e integrimit.
Komisioni Europian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të hedhin hapa për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të detyrimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.
Por, teksa ky progres-raport u kërkon të dy vendeve të zbatojnë marrëveshjet, Serbia është ajo që e shkel me të dyja këmbët në sytë e vetë Evropës. Aktorët politikë në Kosovë kanë vetëm një kërkesë kryesore, të ndëshkohet Serbia për aktet e saj flagrante në kundërshtim me çdo marrëveshje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë. Ndërsa për partitë opozitare, pavarësisht se bashkohen në idenë se duhet të ndëshkohet Serbia patjetër që dialogu të ecë përpara, nuk përtojnë të vënë gishtin tek kryeministri Albin Kurti që, sipas tyre, po bën pak a shumë atë që bën edhe Vuçiçi në vendin e tij, po e përdorin këtë proces për konsum të brendshëm politik.
Ndërsa anëtari i komisionit për politikë të jashtme i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, thekson për A2 CNN se asnjëra palë, nuk është e gatshme t'i zbatojnë ato kërkesa, pra “nuk janë të gatshëm t’i adresojnë ato, kjo do ta dëmtojë më shumë Kosovën".
Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. (A2 Televizion)