
Gazetari Enver Robelli ka komentuar situatën politike dhe ngërçin institucional në Kosovë. Në një lidhje direkte në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Robelli e cilësoi situatën si një krizë të thellë besimi mes krerëve politikë.
Sipas tij, prej afro dy vitesh Kosova po përballet me një dramë politike, ndërsa palët duket se presin gabimet e njëra-tjetrës në vend që të gjejnë një zgjidhje.
“Një rënie kaq e madhe e besimit mes krerëve politikë është fatale për demokracinë.”
Robelli paralajmëroi se kriza mund të sjellë pasoja të rënda institucionale, duke theksuar se politika kosovare nuk po reflekton mjaftueshëm për pasojat e përplasjes.
“Nuk po shoh asnjë mundësi momentalisht që njerëzit të logjikojnë se çfarë pasoja po i lënë Kosovës nga kjo dramë.”
Gazetari kritikoi edhe përdorimin e vazhdueshëm të Serbisë si argument në përplasjet politike, duke thënë se akuzat e ndërsjella për “shërbëtorë të Serbisë” po dëmtojnë rëndë shoqërinë dhe dialogun politik.
“Të futet Serbia në debatet mes politikës në Kosovë, kush është më pak e kush më shumë shërbëtor i Serbisë, kjo po e shkatërron Kosovën.” (A2 Televizion)