Kalkulimet e skenarët për qeverinë, posti i Presidentit pjesë e pazareve politike në Kosovë?

Nga Tomorr Avdia
19 Shkurt 2025, 20:40 | Politikë

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë nuk krijojnë mundësi për asnjë parti politike që të formojë e vetme qeverinë. Mungesa e një qartësie 10 ditë pas zgjedhjeve, u ka hapur rrugën kalkulimeve politike bazuar në interesat afatshkurtra e afatgjata për formimin e koalicioneve të mundshme, teksa mendohet se zgjedhja e Presidentit mund të përfshihet në “pazaret” politike gjatë bisedimve.

Politologu Xhevdet Pozhari, thotë për A2 CNN se sheh më shumë të mundur një qeveri të formuar nga Lëvizja Vetëvendosje me komunitetet joserbe, një përfaqësues të komunitetit serb dhe ndonjë deputet nga tri partitë e deritashme opozitare.

Sa i përket skenarit të një qeverie opozitare, e kërkuar nga kandidatët e PDK, Bedri Hamza dhe ai i AAK, Ramush Haradinaj, Pozhari vlerëson se kjo do të sillte një krizë institucionale.

Profesor Dashamir Bërxulli flet për mundësinë e krijimit të një qeverie me bazë të gjerë, sipas kërkesës së partnerëve perëndimorë.

Sipas Bërxullit, skenari më i rrezikshëm është ai ku partitë të luajnë me shtyrjen e formimit të institicioneve, duke llogaritur këtu dhe zgjedhjen e Presidentit të ri pas një viti. Pas certifikimit të rezultateve, Presidentja e Kosovës thërret seancën konstituive të Kuvendit brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve.

Deputetët betohen dhe zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët. Pas kësaj procedure, Presidentja i jep mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të propozuar nga partia ose koalicioni fitues. Qeveria votohet nga Kuvendi me shumicën e thjeshtë të votave, 50% + 1 deputetë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos