Kallas: Kemi investuar tek dialogu për stabilitet në Ballkan

Nga Rosalba Bejdo
12 Nëntor 2024, 18:13 | Politikë

Kaja Kallas, ish-kryeministrja estoneze, e cila pritet të marrë postin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, u angazhua për zgjerimin e bllokut.

“Së bashku me Komisioneren për Zgjerim, do të punoj me vullnet që ta bëjmë zgjerimin realitet”, ka thënë ajo, duke shtuar se “problemet e sotme të fqinjëve tanë do të jenë problemet tona nesër”.

Kallas foli gjatë një seance dëgjimore që u zhvillua në komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili duhet ta konfirmojë emërimin e 47-vjeçares në vendin që deri më tani e ka mbajtur Borrell. Sipas estonezes, zgjerimi i BE-së forcon vetë bllokun, por edhe vendet që synojnë anëtarësimin: “Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm dhe shumë afër kufijve tanë. Kemi dy shtigje ku duhet të punojmë atje. I pari është zgjerimi, ku duhet të punojmë me Komisioneren për Zgjerim. Siç thashë më herët, ne me të vërtetë duhet të kemi një histori suksesi në pesë vitet e ardhshme, sepse kjo nuk është vetëm për prosperitetin e rajonit, por edhe për t’i dhënë shpresë rajonit. Shtegu i dytë është dialogu Beograd-Prishtinë, ku të gjithë paraardhësit e mi kanë investuar shumë kohë për të sjellë stabilitet në rajon”.

Ky ishte i vetmi moment kur Kallas përmendi dialogun Kosovë-Serbi, apo edhe Ballkanin Perëndimor, teksa fokusi kryesor në fjalimin e saj, por edhe pyetjet që iu bënë nga europarlamentarët, lidheshin me Ukrainën, Rusinë apo çështjen e sigurisë së bllokut. Ajo tha se do të angazhohet për të fuqizuar BE-në dhe do të bashkëpunojë me fqinjët që ndajnë vlera të përbashkëta dhe kanë aspirata për anëtarësim.

Vazhdimin e ndihmës për Ukrainën e cilësoi një prioritet dhe fitoren e Kievit, të domosdoshme për Europën.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos