Fillimisht duhet të zbatohet marrëveshja e Brukselit e arritur me Serbinë vitin e kaluar e më pas ajo e Uashingtonit. Këtë e tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pasi u pyet nëse marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e Trump në vitin 2020 është e pranueshme, nëse republikani këmbëngul në zbatimin e saj.
Por Kurti tha se pret që të nënshkruhet marrëveshja tjetër, ajo e Brukselit. Kryeministri u shpreh i gatshëm të punojë me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi raportet mes dy vendeve kanë gjithmonë të mira pavarësisht përkatësisë partiake të presidentit.
Një ditë më parë, Vuçiç tha se kishte biseduar në telefon me presidentin amerikan, por Kurti nuk pranoi të komentonte se kush prej tij dhe presidentit serb kishte raporte me të mira me Trump.
“Unë bëj raporte zyrtare, shtetërore, politike e kush i ka më mirë raportet me kënd nuk e di këtë punë, nuk mund ta them tani, por duhet të presim, të japim pak kohë dhe të ecim përpara. Ne punojmë me çdo administratë të SHBA pavarësisht cili kandidat fitoi i cilës parti është ai ose ajo”.
Kurti tha se bashkëpunimin e deritashëm me Shtetet e Bashkuara është i gatshëm ta zjerojë edhe më shumë në të gjitha fushat. Në një kohë kur përmendet edhe kthimi i ideve të vjetra si ai i korrigjimit të kufijve, Kurti kujtoi se qëndrimi i Trump ka qenë marrëveshja finale me njohje reciproke.
“Në një letër urimi që e pati dërguar një pararendësi para nesh, para kësaj qeverisje, po ashtu e ka vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore për raportet e ardhshme normale midis Kosovës dhe Serbisë”.
Gjatë mandatit të parë të Trump, ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ishte mbështetur si mundësi nëse palët do të ishin dakord. (A2 Televizion)