Qetësi pas ‘stuhisë’ me vezë, qytetarët dhe ekspertët në Kosovë: Loja politike të marrë fund

Nga Xhevahir Qardaku
10 Gusht 2026, 10:34 | Politikë

Pas vezëve, ofendimeve dhe kaosit… ka vetëm qetësi. Megjithatë Kosova është ende pa një kuvend të konstituuar dhe afati kushtetues tashmë ka kaluar. Ish anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Mazllum Baraliu dhe Kadri Kryeziu, patën kritika të forta në drejtim të klasës politike.

“Është urgjente që kjo klasë politike të jetë më e përgjegjshme sepse kanë abuzuar faktikisht me besimin e dhënë nga qytetarët. Janë organizuar pa bazë, pa arsye, pa nevojë, me shumë shpenzime tri palë zgjedhje dhe tani të grinden mes veti për gjëra, për të cilat mund të merren vesh për disa orë. Është e paarsyeshme, është e papranueshme dhe përfundimisht duhet ta ndërpresin këtë lojë politike dhe këto inate politike që kanë dhe papjekuri, sepse edhe mungesë e emancipimit demokratik dhe politik mund të quhet kjo që po ndodh mes tyre, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje dhe ta propozojnë një president konsensual”, u shpreh ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Mazllum Baraliu.

“30 ditë parasheh Kushtetuta të konstituohet Parlamenti, që të konstituohet Parlamenti. Po ashtu, Kushtetutën e ka mbështetur edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese 2025, i cili jep urdhër që brenda 30 ditëve të konstituohet Parlamenti. Tash çdo veprim, domethënë, që bëjnë parlamentarët, domethënë është veprim jashtë domenit kushtetues dhe ligjor. Por, domosdoshmërisht ata Kushtetuta i detyron që të konstituojnë Parlamentin si institucion i rëndësishëm dhe institucion bazik, pasi që jemi edhe republikë parlamentare”, tha ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.

Qytetarët në Kosovë shprehin zhgënjim nga të gjitha palët, ndërsa ka prej atyre që kërkojnë zëvendësimin e të gjithë klasës politike me figura të reja.

Politika në Kosovë e ka çuar kuvendin sërish në territor të pashkelur më parë, pasi afati i lejuar për konstituimin e legjislaturës së re ka kaluar dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk pranon që të propozojë një emër për kryetar kuvendit. Albin Kurti arsyeton vendimin e tij duke kërkuar kohë shtesë për një marrëveshje politike, konkretisht me LDK-në ose partitë e tjera, për të arritur një emër konsensual për presidentin e ri. Ende nuk dihet se kur mund të mbahet vazhdimi i seancës konstituive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos