Hedhje vezë dhe tensione, Kurti: Të bëjmë marrëveshje për institucionet

Nga A2 CNN
8 Gusht 2026, 19:50 | Politikë

Duket se klasa politike në Kosovë e ka shumë të vështirë të dalë nga kriza. Kjo është vënë re edhe gjatë seancës konstituieve të së shtunës. Vazhdimi i seancës konstituive nisi me 1 orë vonesë, por zgjati vetëm disa minuta. Megjithatë, ato pak minuta u shoqëruan me tensione, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, doli në foltore.

Kurti nuk propozoi emër për kryeparlamentar, por kërkoi kohë shtesë për marrëveshje politike.

Me t’u kthyer në ulësen e tij në mes të sallës, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, iu afrua Kurtit dhe hodhi vezë në drejtim të tij, duke bërë që kryesuesi i seancë të shtynte punimet e Kuvendit.

I pyetur për incidentin me deputeten e Aleancës, që hodhi vezë në drejtim të tij, Kurti tha se nëse gjuajtja me vezë drejt tij është çmimi që duhet të paguajë në mënyrë që udhëheqësit politikë të dialogojnë për të arritur një marrëveshje, ai është i lumtur ta paguajë një çmim të tillë.

Ai foli edhe për çështjen e presidentit, duke përsëritur qëndrimin se ai duhet të jetë një figurë mbipartiake, jashtë aktualitetit politik. Marrëveshja politike, sipas tij, duhet të reflektojë edhe rezultatin zgjedhor.

Ai sërish u bëri thirrje udhëheqësve partiakë që të takohen për të arritur një marrëveshje. Kurti u shpreh se nuk dëshiron që në një seancë për presidentin të marrin pjesë vetëm deputetët e LVV-së dhe të komuniteteve joserbe.

Reagim për këtë situatë pati edhe nga Ambasada britanike, e cila në një reagim të sajën tha se në dy vitet e fundit, për një kohë të gjatë Kosova ka qenë pa një Kuvend funksional, dhe se funksionalizimi i organit ligjvënës është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës e jo e sistemit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos