Mekanizëm i ri për të dalë nga kriza, Vetëvendosje propozon votim të fshehtë, LDK, PDK dhe AAK kundër

Nga Xhevahir Qardaku
1 Maj 2025, 10:58 | Politikë

Mekanizëm i ri për të dalë nga kriza, Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje po i provon të gjitha për të dalë nga ngërçi në kuvendin e Kosovës, përveç përmbushjes së kërkesës së partive të tjera.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi mbajtjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentares Albulena Haxhiu. Ai kërkoi që votimi të bëhet përmes fletëve. Por kjo është pasuar nga një kundërshtim i ashpër i partive të tjera.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për shndërrimin e kuvendit të Kosovës në një cirk. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetes Hykmete Bajrami, refuzoi pjesëmarrjen në votimin e fshehtë, ndërsa paralajmëroi edhe dërgimin e procedurave të ndjekura në seancë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa e Deharit është kundërshtuar edhe nga AAK-ja si dhe Lista Srpska. Megjithatë edhe kjo seancë përfundoi në dështim. Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje. Madje në seancë nuk u miratua as përbërja e anëtarëve të komisionit verifikues. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos