SHBA kërkon bisedime direkte me Pekinin për çështjen e tarifave. Ky fakt është konfirmuar nga mediat shtetërore kineze. Qeveria amerikane ka kontaktuar Kinën përmes kanaleve të ndryshme, thekson Reuters. Shtetet e Bashkuara i janë drejtuar Kinës duke kërkuar bisedime mbi tarifat prej 145% të Presidentit Donald Trump.
"SHBA-ja ka kontaktuar në mënyrë proaktive Kinën përmes kanaleve të shumta, duke shpresuar të zhvillojnë diskutime mbi çështjen e tarifave", tha Yuyuan Tantian në një postim të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në rrjetet sociale Weibo.
Pekini ka bërë pak përpjekje për të përmbajtur zemërimin e tij ndaj tarifave, të cilat sipas tij janë të barasvlershme me tensionet dhe nuk mund ta ndalojnë ngritjen e ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Megjithatë, krahas shfrytëzimit të makinës së saj të propagandës për t'u kundërpërgjigjur detyrimeve, Kina ka krijuar në heshtje një listë të produkteve të prodhuara në SHBA që do t'i përjashtojë nga tarifat e saj hakmarrëse prej 125% - duke përfshirë produkte të caktuara farmaceutike, mikroçipa dhe motorë reaktivë -raportoi Reuters, për të lehtësuar ndikimin e detyrimeve.
Të dhënat e fundit treguan se ekonomia amerikane u tkurr në fillim të vitit për herë të parë që nga viti 2022. Statistikat dhanë një pamje fillestare të ndikimit të politikës tregtare të Trump.
Në të njëjtën kohë, çmimet nga disa prej furnizuesve më të njohur të mallrave të prodhuara në Kinë tregojnë tashmë se blerësit amerikanë do të paguajnë një pjesë të madhe të faturës, pavarësisht pretendimeve të Trump se Pekini do të mbajë barrën e tarifave të tij, aktualisht në 145 përqind.
Prandaj, Presidenti Donald Trump pranoi të mërkurën se tarifat e tij mund të çojnë në produkte më të shtrenjta në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se fëmijët amerikanë mund të marrin vetëm “dy kukulla në vend të 30 kukullave”, por këmbënguli se Kina do të vuante më shumë nga lufta e saj tregtare.
“Bisedimet me Kinën do të ndodhin. Ata tani po kalojnë një moment të vështirë sepse fabrikat e tyre nuk po bëjnë më biznes. Ata bërën triliona dollarë me Biden, duke u shitur mallin e tyre. Shumë nga ato mallra ne nuk na duhen. Ata kanë mallra por kanë edhe anije, që të them të vërtetën nuk na nevojiten. Ne duhet të bëjmë një marrëveshje të ndershme. Jemi goditur ekonomikisht nga shumë vende në botë, por Kina është një nga më kryesore”, tha Donald Trump. (A2 Televizion)