Sot është 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Një ditë që e gjen Shqipërinë me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, gjë që ka vendosur në vështirësi serioze jo vetëm privatin, por edhe shtetin. Kjo për shkak të emigrimit të pandalshëm veçanërisht vitet e fundit.
Të dhënat zyrtare flasin për rënie të papunësisë në vend, tregues që në fund të vitit të kaluar zbriti në 8.8%, niveli më i ulët i viteve të fundit.
Por a tregon kjo shifër numrin real të të papunëve në Shqipëri?
Në fakt jo dhe kjo për tre arsye qe nuk janë marrë parasysh në shifrën zyrtare të INSTAT: E para pakësimi i popullsisë nga emigrimi bën që në vend të ketë më pak të papunë dhe rrjedhimisht, papunësia të bjerë. E dyta, jo të gjithë të papunët i drejtohen zyrave të punësimit për t’u regjistruar. Kjo do të thotë se kemi një papunësi informale, e cila nuk llogaritet. Faktori i tretë është gjendja me fshatin. Sipas ligjit, çdo person që jeton në fshat dhe zotëron një ngastër toke quhet i vetëpunësuar, pavarësisht nëse e punon atë apo nxjerr të ardhura prej saj.
Papunësia në Shqipëri është më e ndjeshme tek gratë sesa tek burra dhe kryesisht tek të rinjtë.
Sipas të dhënave, 82.2% e meshkujve punojnë sot, përkundrejt 69.1% të grave. Por këto të fundit janë të angazhuara edhe në punët në familje, për mbarëvajtjen e shtëpisë dhe fëmijëve, në atë që njihet si punë e papaguar. Ndërsa shkalla e papunësisë tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç arrin në 19.1%, çka tregon se të rinjtë përballen me sfida të vazhdueshme për gjetjen e vendeve të qëndrueshme të punës.
Si manifestohet mungesa e punëtorëve në treg dhe cilat janë ato industri që e ndjejnë më shumë?
Thuajse të gjitha degët e ekonomisë po përballen me krizën e burimeve njerëzore. më problematike është situata në sektorët e turizmit; shërbimeve; prodhimit; bujqësisë dhe ndërtimit.
Por pavarësisht rritjes së pagave apo kërkesave të vazhdueshme të tregut për fuqi punëtore, ka një pjesë të popullsisë që nuk duan të punojnë dhe kjo quhet papunësia inaktive. (A2 Televizion)