Dallimet ndërmjet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me kryeministrin Albin Kurti, që dolën së fundmi në pah edhe në adresimin vjetor të Vjosa Osmanit në Kuvendin e Kosovës, për Lëvizjen Vetëvendosje nuk paraqet ndonjë problem. Sipas tyre, krerët institucional mund të kenë dallime në nuanca, por se qëllimi është gjithnjë i njëjtë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për “KosovaPress” se pavarësisht dallimeve në mes Kurtit dhe Osmanit, e rëndësishme është që qëllimet e tyre janë të njëjta dhe të palëkundura.
“Nuk pres që të gjitha institucionet të kenë të njëjtat ide në të gjitha situatat. Natyrisht mund të ketë dallime, por e rëndësishme është që të kenë qëllimi i përbashkët dhe të ketë qëndrime bërthamë të përbashkët dhe të njëjtat nuk lëvizin. Në nuanca mund të dallojmë, prandaj presidentja i tha ato që ajo mendon. Qeveria i ka qëndrimet e veta, por kjo nuk pengon që në hapat tutje të gjejmë gjuhën e përbashkët për interesa të Kosovës”, deklaroi Batusha.
Megjithatë, deputeti i mazhorancës është më i rezervuar në raport me idenë e Presidentes Osmani sa i përket zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes së Brukselit.
“Secila ide, sidomos kur vjen nga Presidentja, kryeministri apo kryeparlaemntari duhet të diskutohet dhe shqyrtohet. Pas këtyre diskutimeve ne mund të shohim a është e duhur apo jo. Momentalisht, nuk kemi informata më të detajuara si është menduar kjo çështje...Marrëveshjet të cilat bëhen janë marrëveshje ndërkombëtare dhe të cilat nuk mund njëanshëm t’i zbatojmë pasi nëse pala tjetër nuk i pranon atëherë i bie se nuk kemi marrëveshje. Me aleatët tanë kemi interesa të tjera siç është konsolidimi i mëtejmë i shtetësisë së Kosovës dhe pranimi në organizata ndërkombëtare”, shton Batusha.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, thotë për “KosovaPress” se deklarimet e Presidentes Osmani janë të vonuara. Sipas saj, një presidente që është e thirrur të mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, do të duhej të kishte guxim që më herët të reagonte ndaj kryeministrit Kurti.
“Është qasje e vonë. Është absolutisht qasje e vonë. Një Presidente e cila ka marrë mandat nga ky Kuvend dhe është votuar si e para e vendit është dashur që të ketë të paktën guximin që për këto katër vite njëherë të vetme të deklarohet në shpërputhje me qëndrimet e qeverisë. Deri tash, kemi pa harmoni të plotë të saj në deklarimet e qeverisë. Asnjëherë, as në raport me mediat që janë cenuar dhe sulmuar, po ashtu kur janë atakuar institucionet e pavarura... Një Presidente që është e thirrur të mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë do të duhej të kishte guxim, jo vetëm institucional, por edhe moral dhe qytetar se këto që po ndodhin e dëmtojnë demokracinë dhe stabilitetin e një vendi demokratik. Prandaj këto i shoh absolutisht si qëndrime të vonuara në raport me keqqeverisjen që po dominon në Kosovë”, u shpreh Deliu.
Kryeministri Kurti deri më tani nuk i ka komentuar deklarimet e Presidentes Osmani se luajtja bixhoz me aleatët cenon shtetësinë e Republikës së Kosovës. (A2 Televizion)