Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili nënshkroi në Shtëpinë e Bardhë atë që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit, katër vite më pas deklaroi se qëllimi i asaj marrëveshjeje ishte që Kosova dhe Serbia të nxiten drejt marrëveshjes përfundimtare.
Gjatë një diskutimi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, tha se marrëveshja e nënshkruar në praninë e presidentit amerikan Donald Trump më 2020, mbështeste projekte madhore kryesisht të infrastrukturës që i bënte ekonominë e Kosovës dhe Serbisë më të ndërlidhura.
“Vendosëm Kosovën në qendër infrastrukturore në komplet Ballkanin po marrëveshja ka qenë për normalizim ekonomik mes dy vendeve ndërkohë që në Bruksel vazhdonte dialogu për njohje reciproke”, tha Avdullah Hoti.
Hoti tha se, në momentin që ka lënë detyrën si kryeministër, procesi i dialogut ka qenë i kornizuar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke mirëpo viteve të fundit procesi është kthyer në pikën zero, ku sipas tij Kosova po trajtohet në tavolinat ndërkombëtare të aleatëve si problem i sigurisë në Ballkan.
“Është ndërtuar një status quo e re, kjo nënkupton që nuk ka më dialog për njohje reciproke është arritur një marrëveshje në Bruksel dhe aneksi i Ohrit dhe ka një presion për zbatim të disa aranzhimeve të parapara në aneksin e Ohrit”, shton Hoti.
Ish-kryeministri Hoti u shpreh se fundi i dialogut nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes reciproke ndërmjet dy vendeve.
Ai tha se beson që presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të ketë një qasje më pragmatike ndaj këtij procesi.
“Se si do të qaset tani presidenti i ri karshi dialogut Kosovë-Serbi në marrëdhëniet regjionale, normalizimin ekonomik po tentoj të besoj që do të shohim një qasje shumë më pragmatike”, tha Hoti.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se janë një prej organizatave të rralla që është duke organizuar aktivitete për të përafruar bizneset e Kosovës me ato të Serbisë, ndërsa kanë mbështetur dispozitat e Marrëveshjes së Uashingtonit. (A2 Televizion)