Presioni nga Gjermania bëri që Kosova të reflektojë. Lëvizja Vetëvendosje në pushtet sinjalizon se në afatin e duhur kohor do të gjenden modalitetet për të hequr masat e sigurisë ndaj mallrave serbe.
Shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari Lila, tha se presioni gjerman ndaj Kosovës se mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, është i padrejtë pasi goditet më rëndë ndaj vendet e tjera të rajonit.
“Kosova është në pritje të skanerëve detal të cilët do të bëjnë skanimin e kamionëve apo maunave që hyjnë në të gjitha pikat kufitare në veçanti në pjesën në veri. Besoj se në afatet kohore do të gjendet modaliteti më i mirë që në momentin kur të kemi siguri të plotë se mund të parandalohet çfarëdo kontrabandimi ilegal nga ana e Serbisë brenda territorit të Kosovës mund të hiqet masa e sigurisë, që po e ritheksoj është çështje e sigurisë kombëtare”, tha shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.
Nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, e konsiderojnë qasjen e qeverisë të gabuar.
“Se kemi imagjinuar asnjëherë se përfundimi i mandatit të qeverisë së Albin Kurtit e nxënë Kosovën të sanksionuar. Kjo nuk besoj se i ka shkuar në mendje dikujt, por fatkeqësisht këtu jemi. Nuk mund të presim agjendë zhvillimore dhe qasje ndryshe prej këtyre njerëzve që na kanë pruar në këtë situatë”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK, Abelard Tahiri.
Kritika të forta në drejtim të qeverisë Kurti u lëshuan edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Kosova nuk është formalisht në listën e zezë, por është në listën e zezë të secilës iniciativë rajonale, iniciativë të Bashkimit Evropian, secilës listë në arenën ndërkombëtare dhe te amerikanët. Mos harroni se ne jemi përjashtuar nga ushtrimi “Defender 2023” që kanë punuar 1 vit. Ne jemi sot në sanksione të BE-së dhe ju them me keqardhje se pak ka optimizëm që mund të largohen këto sanksione. Neve na vjen përfaqësuesi i kancelarit gjerman dhe na thotë troç që mund të përjashtoheni nga nismat rajonale”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Këto deklarata erdhën pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit. Në këtë takim u caktua seanca plenare e radhës për të enjten e 26 shtatorit, ku në rend dite janë 3 marrëveshje ndërkombëtare për shqyrtim. (A2 Televizion)