Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vendosur që nga 1 tetori transporti urban të jetë falas për disa kategori. Por, fakti që ky vendim u mor në kohën e fushatës për zgjedhjet lokale, nga shoqëria civile është cilësuar si "vendim të pastër elektoral".
Sipas vendimit, falas me Trafikun Urban do të mund të udhëtojnë stafi shëndetësor, administrativ dhe mbështetës të institucioneve të kryeqytetit të Kosovës.
Të liruar nga pagesa janë stafi mësimor, përfshirë institucionet parashkollore, të gjithë punonjësit e administratës së Prishtinës, nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e kryeqytetit.
“Qytetarët janë prioriteti ynë, për një Prishtinë më të gjelbër dhe me më pak vetura”, shkroi Rama në Facebook.
Vendimi, i nënshkruar më 25 shtator, vjen në kohën kur Rama po garon edhe për një mandat katërvjeçar për udhëheqjen e kryeqytetit të Kosovës.
Rama është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës shkroi në Facebook se pavarësisht se duket vendim i drejt, fakti që merret në mes të fushatës dhe hyn në fuqi vetëm 12 ditë para zgjedhjeve lokale, “e bën atë një vendim të pastër elektoral”.
“Për më keq, ky është shembull tipik i shfrytëzimit të resurseve publike për përfitim elektoral – praktikë për të cilën pikërisht partia që sot udhëheq kryeqytetin akuzonte partinë në pushtet qendror gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit. Abuzimi me resurset publike për vota është cenim i garës së barabartë zgjedhore, kurdo, kudo dhe nga kushdo që ndodh”, shkroi Cakolli.
Në vendimin e publikuar nga Rama në Facebook, thuhet se ai u mor në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Statutit të Prishtinës.
Në nenin 53 të Statutit të Prishtinës, të miratuar më 2010, thuhet se kreu i komunës “merr vendime dhe lëshon urdhëresa brenda fushës dhe kompetencave të tij”.
Kryetarët e komunave, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale në Kosovë kanë kompetenca vetanake, të deleguara dhe të zgjeruara.
Sipas këtij ligji, kompetencat vetanake nënkuptojnë kompetenca “që u jepen komunave me kushtetutë apo me ligj për të cilat ato janë plotësisht përgjegjëse për sa i përket interesit lokal, apo në përputhje me ligjin”.
“Komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuar në legjislacionin e zbatueshëm”, thuhet në këtë ligj.
Në kompetencat vetanake parashihet ofrimi dhe mirëmbajtja e një sërë shërbimesh publike dhe komunale, përfshirë edhe transporti lokal.
Ndërkaq, në Ligjin për zgjedhjet lokale, ndonëse nuk përmendet ndonjë ndalesë për marrjen e vendimeve gjatë fushatës zgjedhore, në Nenin 3, pika 3.4 thotë se personat që mbajnë post publik, që janë të zgjedhur apo të emëruar nuk mund ta “përdorin atë post apo ndonjë nga burimet e tij për qëllim të sigurimit të votave".
"Asnjë burim i ndonjë institucioni të administratës publike në nivel qendror ose komunal apo ndonjë ndërmarrje në pronësi apo e kontrolluar nga autoritetet qendrore ose lokale nuk mund të përdoret apo aplikohet në mbështetje të subjektit politik në zgjedhje”, thuhet në ligj.
Ndryshe, gara për Prishtinën është në qendër të vëmendjes politike.
Përveç Ramës, për të parin e Prishtinës garojnë: Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje, Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besa Shahni nga Partia Socialdemorkate, Merkur Beqiri nga Alternativa, Nedime Belegu nga Epoka e Hyjneshës në Prishtinë, Agim Krasniqi nga Prishtina në Dorën Tënde, Fatmir Selimi dhe Lulzim Syla.
Sipas Institutit GAP, nga 206 premtimet e dhëna më 2021, Rama ka përmbushur 73, gjysmë të përmbushura konsiderohen 37 premtime, 37 janë të filluara, ndërkaq 59 të tjera ende nuk i ka filluar./ REL (A2 Televizion)