Kryeministri në detyrë, Albin Kurti udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej ditësh, atje gjendet edhe presidentja Vjosa Osmani.
Të dy paralajmëruan takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Nga njoftimet e takimeve, Osmani u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marc Rubio gjatë një darke, ndërsa pati një bisedë edhe me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas.
“Takimi [i Marc Rubio] me presidenten [Vjosa Osmani] nuk ishte ne nivelin protokollar dhe diplomatik siç ishte me presidentin e Serbisë [Aleksandër Vuçiç] dhe këtë e pamë edhe me vet e deklaratat e zotit Rubio përderisa Shtetet e Bashkuara e kanë ndërprerë dialogun strategjik me Kosovën ata paralajmëruan fillimin e ngociatave për dialogun e strategjik me Serbinë dhe kjo do të duhet të merret si shqetësuese nga politika e Kosovës dhe nga qeveria dhe presidenca”, tha Belgëzim Kamberi, analist.
Pavarësisht natyrës dhe vendit, takimet e krerëve e shtetit në Nju Jork shihen të rëndësishme për të shtyrë përpara interesat e Kosovës, shkruan A2 CNN.
“Vizita e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurit në SHBA edhe në qoftë se nuk është në mënyrën protokollare, zyrtare të aranazhimit të takimeve me figura të larta shtetërore, gjithmonë mbetet e rëndësisë së madhe politike, e konsolidimit të lidhjeve, forcimit të partneritetit dhe avancimit të pozitës shtetërore të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Valdet Hoxha, analist.
Vizita në Shtetet e Bashkuara u bë beteja e radhës politike në Kosovë, sidomos pas krisjes së raporteve me Amerikën që çoi në pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik.
“Një vizitë e tillë nuk besoj që mund të tejkalohet pa u shfrytëzuar nga krerët e shtetit e me qëllim ndoshta të përfitimit të disa votave që në kuptimin politik edhe është krejt normale duke pasur parasysh relacionet speciale jo vetëm të qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe të popullit të Kosovës me SHBA”, tha Hoxha.
Megjithatë krerëve të vendit, e sidomos kryeministrit në detyrë Kurti i kërkohet të anagzhohet në përmirësimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara.
“Nuk besoj që tash është shumë më rëndësi çështja e propagandës për konsum të brendshëm në Kosovë sa është me rëndësi që të përmirësohen marrëdhëniet diplomatike të cilat po shihet që nuk janë në nivelin e duhur e aq më tepër që në anën tjetër është paradoksale që dy vjet pas Banjskës Serbia të ketë marrëdhënie më të mira me SHBA, me administratën e tanishme por edhe me disa kryeqendra perëndimore”, tha Kamberi.
Ashtu si nga Presidenca, por edhe nga Zyra e Kryeministrit, nuk kanë bërë të ditur se cila është agjenda e krerëve të shtetit, sidomos për takimet dypalëshe. (A2 Televizion)