Rubio në Konferencën e Munihut, ku merr pjesë edhe Kosova

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2026, 17:16 | Politikë

Rubio në Konferencën e Munihut, ku merr pjesë edhe Kosova

Kryediplomati amerikan, Marco Rubio, do të udhëtojë për në Gjermani më vonë gjatë javës dhe do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë në Konferencën për Siguri të Munihut, para se të niset drejt Sllovakisë dhe Hungarisë.

Konferenca e 62-të e Munihut do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku do të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë edhe nga Kosova. Në Munih do të jetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Edhe Serbia do të ketë përfaqësues në Konferencë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kryediplomatin Marko Gjuriq, dhe disa ministra të tjerë. Ndërkaq, edhe vendet e tjera të rajonit do të përfaqësohen në Munih me zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministra.

Pjesëmarrja e Rubios në këtë konferencë ndodh në një moment të rëndësishëm, kur Uashingtoni dhe aleatët evropianë po përballen me mosbesim në rritje lidhur me sigurinë, tregtinë dhe të ardhmen e aleancës transatlantike dhe këto tensione pritet të mbizotërojnë diskutimet në Munih.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, që në fund të shkurtit hyn në vitin e pestë, pritet të jetë temë kryesore e diskutimeve në Konferencë, por edhe tensionet që kanë të bëjnë me Iranin.

Pjesëmarrja e Rubios në Konferencën në Gjermani do të pasohet me një turne diplomatik në Bratisllavë dhe Budapest më 15 dhe 16 shkurt, duke vënë në pah fokusin e administratës amerikane në Evropën Qendrore në një kohë të një pasigurie strategjike.

Në Sllovaki, ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë për të avancuar bashkëpunimin e sigurisë rajonale dhe për projektet e energjisë bërthamore, tha Departamenti amerikan i Shtetit. Në Hungari, ndërkaq, fokusi do të jetë në raportet dypalëshe dhe në përpjekjet e paqes që synojnë zgjidhjen e konflikteve botërore.

Pika kryesore e udhëtimit të Rubios do të jetë fjalimi në Munih më 14 shkurt, i cili pritet të shikohet me vëmendje, veçmas pasi fjalimi i nënpresidentit amerikan, JD Vance, vitin e kaluar në këtë konferencë pati jehonë të madhe.

Atëbotë, deklaratat e Vance – kur ai akuzoi liderët evropianë për shtypje të lirisë së shprehjes dhe dështim në menaxhimin e migracionit – lanë pas një ndjenjë shqetësimi në Bruksel dhe më gjerë.

Kjo ndjesi pasigurie pasqyrohet edhe në raportin vjetor të Konferencës së Sigurisë së Munihut, të hartuar nga organizatorët e forumit dhe të publikuar këtë javë, i cili paralajmëron se Evropa po përballet me një “epokë të prolonguar konfrontimi” të nxitur nga agresioni rus.

Tensionet transatlantike
Sipas raportit, sfida më e madhe për rendin liberal ndërkombëtar mund të vijë tashmë “nga brenda”, duke iu referuar asaj që e përshkruan si një ndryshim tektonik në mënyrën se si SHBA-ja po mendon për aleancat.

Duke e quajtur presidentin amerikan, Donald Trump, “më të fuqishmin ndër ata që i bien me sëpatë rregullave dhe institucioneve ekzistuese”, autorët e raportit parashikojnë se “marrëveshjet transaksionale mund ta zëvendësojnë bashkëpunimin e ndërtuar mbi parime… dhe rajonet mund të dominohen nga fuqitë e mëdha, në vend që të qeverisen nga rregulla dhe norma ndërkombëtare”./REL

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos