Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh për herë të parë në sesionin vjeshtor duke shënuar kështu edhe hapjen e punimeve të Parlamentit pas pushimeve.
Pas rikonstruksionit teknik, salla plenare është e gatshme me instalimin e pajisjeve të nevojshme ndërsa Kryesia vendosi që seanca e parë për këtë sesion të mbahet të enjten, më 12 shtator, me një varg pikash, përfshirë edhe ato të bartura nga sesioni pranveror.
Partia Demokratike e Kosovës tha se angazhimi parlamentar i tyre do të shkojë që vendit t’i japin një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Republika e Kosovës prej shpalljes së pavarësisht asnjëherë nuk ka qenë në pozicion më të pavolitshëm në raport me partnerët ndërkombëtarë. Fatkeqësisht sjellja jonë jo e duhur siç e thonë edhe miqtë tanë amerikanë në raport me interesat kombëtare nuk ka qenë korrekte”, tha Abelard Tahiri.
Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideroi legjislaturën dhe ekzekutivin aktual si më të dobëtin në histori të vendit.
“Kjo legjislaturë, me këtë qeveri dhe këtë qeverisje mund të konsiderohet si qeverisja më e dobët në historinë e Kosovës. Në aspektin e vendimmarrjes, në aspektin e ndërtimit të konsensusit politik dhe në aspektin e përfaqësimit institucional të Kosovës”, u shpreh Arben Gashi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se qeverisja e Kurtit e solli Kosovën në stadin më të ulët zhvillimor dhe kombëtar.
“Kosova me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit Kurti ka pësuar një dobësim serioz në rrafshin e brendshëm, si në rrafshin e jashtëm”, shtoi Besnik Tahiri.
Tri partitë opozitare parlamentare paralajmëruan se në sesionin vjeshtor të Kuvendit do të shtyjnë përpara përmbylljen e hetimeve në komisionet hetimore, në lidhje me shërbimin e jashtëm por edhe për subvencionimin e teksteve shkollore. (A2 Televizion)