LDK-ja dorëzon kërkesë në ZRRE për anulimin e shtrenjtimit të rrymës

Nga A2 CNN
12 Maj 2025, 16:03 | Politikë

LDK-ja dorëzon kërkesë në ZRRE për anulimin e

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar një kërkesë me nënshkrime të deputetëve në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar anulimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se ZRRE-së iu kërkua të anulojë dy vendime: atë që i obligon bizneset të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike, si dhe vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1 për qind.

Bajrami tha se gjatë takimit me udhëheqësit e ZRRE-së nuk morën përgjigje pozitive për “shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës”.

“Sipas tyre [ZRRE-së], një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm qeveria – në këtë rast, kushdo që është duke ushtruar detyrën e qeverisë dhe ministrave, sepse bëhet fjalë për rreth 50 milionë euro diferencë në çmim, e cila duhet të vijë si subvencionim nga buxheti i shtetit. Ndryshe, këta [ZRRE-ja] detyrohen që vendimin ta lënë në fuqi”, deklaroi Bajrami.

Nga rritja e çmimit të energjisë, sipas Bajramit, nuk po sfidohen vetëm qytetarët, por edhe shumë biznese.

Në veçanti, sipas saj, të sfiduara nga vendimet e ZRRE-së janë mbi 1.300 biznese kosovare, të cilat janë të obliguara të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike nga fillimi i qershorit.

Këto biznese, sipas Bajramit, po përballen me oferta shumë më të shtrenjta sesa kanë paguar deri më tani.

Ditë më parë, ZRRE-ja vendosi të rrisë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët për 16.1 për qind.

Kjo rritje i prek edhe bizneset që kanë më pak se pesëdhjetë punëtorë.

Ato biznese që kanë më shumë se 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim, nga 1 qershori, sipas vendimit të ZRRE-së, janë të obliguara të dalin në treg të lirë për të siguruar energjinë elektrike.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë paralajmëruar për çmime të papërballueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos