Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa, e paraqitur nga deputetë nga radhët e AAK-së dhe e mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), erdhi në mes të ngërçit në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk është konstituuar as pas 14 përpjekjeve rresht, kur kanë kaluar tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
“Si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, me nënshkrimet e deputetëve të Aleancës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, para gazetarëve.
“Kërkuam nga Gjykata Kushtetuese që kjo të trajtohet me prioritet... Duke konsideruar që është shkelje ligjore, po mendojmë që po zhvleftësohet vlera e Kuvendit të Kosovës, duke mbajtur seanca plenare çdo 48 orë, dhe seanca [me të cilat] konsiderojmë që po shkelet Kushtetuta e Kosovës”, u shpreh ajo.
“I lutëm aktorët që ta trajtojnë me prioritet, ndoshta edhe me një pezullim të përkohshëm, me një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa Gjykata me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”, tha Kadrijaj.
Kërkesën që AAK-ja dorëzoi në Kushtetuese e ka publikuar të plotë në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se "loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet".
Sipas Haradinajt, "seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore".
Më 1 maj, në përpjekjen e nëntë për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të ndërrohej dhe të bëhej në mënyrë të fshehtë, dhe kërkoi formimin e një komisioni ad-hoc për mbikëqyrjen e votimit.
Ky propozim u refuzua nga partitë e tjera – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Propozimi i kryesuesit të seancës u bë teksa e propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Haxhiu shihet nga PDK-ja dhe AAK-ja si një “figurë përçarëse”, ndërsa LDK-ja thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.
LVV-ja ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Kushtetuta i jep të drejtë partisë fituese të propozojë kandidatin për kryeparlamentar, dhe kryeministri në detyrë, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, përsëriti ditë më parë se partia nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut, duke thënë se është detyrë e të gjitha partive parlamentare ta konstituojnë Kuvendin.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./ REL (A2 Televizion)