Përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ja lëvizja që do ndërmarrë Vjosa Osmani

Nga A2 CNN
12 Maj 2025, 13:24 | Politikë

Përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të fillojë konsultimet me partitë politike në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Këtë e konfirmoi këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Kupina.

Më 11 maj, për të katërmbëdhjetën herë më radhë, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Derisa partitë e tjera politike nuk përkrahin zgjedhjen e Albulena Haxhiut në pozitën e kryetares së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, vazhdon të insistojë se nuk do të propozojë emër tjetër për kryeparlamentar.

Sa herë që emri i Haxhiut u hodh në votim nuk mori votat e nevojshme për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Ditë më parë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që për kryeparlamentarin të votohet përmes votës së fshehtë. Por as për këtë proces, në seancat e kaluara nuk u siguruan votat e nevojshme dhe procesi ka ngecur.

Më 11 maj, pas dështimit të fundit për konstituimin e Kuvendit, Donika Gërvalla, deputete e Vetëvendosjes dhe ministre e Jashtme në detyrë, nuk tregoi qartë nëse do t'i përgjigjeshin ftesës së presidentes.

Gërvalla deklaroi se "duhet ta marrim ftesën dhe të shohim se çfarë përmban ajo dhe për çfarë na thërret ajo".

Partitë e tjera përfshirë, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në kanë thënë se janë të hapura për të marrë pjesë në një takim me presidenten.

Ndërkohë më 12 maj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.

Time Kadrijaj nga ky subjekt politik tha se kanë dërguar në “Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”.

Kërkesa është mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Derisa Vetëvendosje si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit insiston se votimi i fshehtë është ligjor dhe kushtetues, partitë e tjera përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në kanë kundërshtuar një gjë të tillë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos