"Masat i propozoi Lajçak", Kusari-Lila: E domosdoshme të hiqen menjëherë

Nga A2 CNN
29 Shtator 2024, 11:17 | Politikë

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më parë, pasi si të tilla kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta.

Ajo tha për mediat në Kosovë se pret që pas vendosjes së strukturave të reja të BE-së, pas zgjedhjeve të fundit, të ketë vendimmarrje pozitive për largimin e masave, si dhe të ndryshojë qasja diskriminuese ndaj Kosovës, shkruan A2.

“Deri tani masat ndaj Kosovës kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta. Kosova është ende nën masa për arsye të zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë me shkuarjen e kryetarëve të zgjedhur në mënyrë legjitime në komunat veriore, ndërsa Serbia nuk është ndër masa dhe s’ka pasuar pasoja nga mbështetja e një sulmi terrorist në Kosovë dhe cenimi i sovranitetit tonë. Është dashur sa më parë që këto të hiqen, natyrisht duke marrë parasysh veprimet dhe gatishmërinë e institucioneve tona për të qenë në përputhje dhe bashkërendim me politikën e jashtme të BE-së…Ne shpresojmë që të ketë qasje krejtësisht tjetër, e kemi pa të gabuar dhe diskriminuese qasjen ndaj Kosovës dhe në veçanti propozimin e ndërmjetësit Lajçak për t’i vënë masa Kosovës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos