Mesazhi i Hovenier: Nëse dëshironi të hyni në një klub, mos urinoni në derën e tij

Nga Ideal Gola
25 Shtator 2024, 20:12 | Politikë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zgjodhi një fjalor të pazakontë për t’iu drejtuar Prishtinë zyrtare ku foli mes aspiratave të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe në anën tjetër veprimet qeveritare në veri për të cilat patën pakënaqësi.

“Gjyshi im ka pasur një thënie, ‘nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën para klubit’, tha ambasadori Hovenier.

Gjatë fjalës në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci, Hovenier deklaroi se qëllimi përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke por kërkoi nga Kosova dhe Serbia zbatimin e marrëveshjeve.

“Duhet përkushtim i ri në dialog nga të gjithë, ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë. Ajo që na duhet është serioziteti dhe qëllimi në dialog. Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët”, u shpreh ambasadori amerikan, shkruan A2 CNN.

Për Gjermaninë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është thelbësor për integrimin e serbëve në institucionet kosovare por edhe për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Për mua, anëtarësimi në Këshillin e Evropës mbetet në tryezë dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme, edhe për të drejtat dhe çështjet e pakicave”, u shpreh Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Ndërsa shefi i ri Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orah, pati mesazh për Kosovën duke thënë se për anëtarësim në Union duhet të kryhen detyrat e shtëpisë.

“Më duhet të theksoj, natyrisht, procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes dialogut sepse është absolutisht një çelës. Unë i di edhe pritshmëritë për komisionin e ri, përbërjen e re, por thjesht na duhet një Kosovë e qëndrueshme, demokratike që angazhohet në bashkëpunim rajonal”, tha Aivo Orah, ambasador i BE në Kosovë.

Vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë pasur së fundmi sërish mospajtime në lidhje me mbylljen e strukturave paralele dhe institucioneve që kanë vepruar ilegalisht në veri si dhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos