Situata politike në Kosovë mbetet e bllokuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, edhe pse doli partia e parë, nuk ka arritur të sigurojë shumicën prej 61 votash për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri dhe për të formuar qeverinë e re.
Vetëvendosje nuk ka arritur marrëveshje me asnjë nga partitë e mëdha dhe është mbështetur vetëm në disa deputetë të minoriteteve. Kjo ka sjellë pamundësinë për konstituimin e Kuvendit, pasi Albulena Haxhiu, si propozim i saj për kryetare të Kuvendit mori vetëm 57 vota në dy tentime.
“Nëse vërtetë Vetëvendosje dëshiron të dal nga kjo situatë bllokuese do të duhet që ta gjejë një kandidat më konsesnual i cili është i përshtatshëm dhe për ndonjërën prej partive opozitare që të votohet dhe natyrisht përveç saj të gjejë edhe numrat për qeveri”, tha Arbënor Sadiku, analist.
Partitë e tjera, PDK, LDK dhe AAK, akuzojnë Vetëvendosjen se po mban peng institucionet. Por edhe Vetëvendosje hedh akuza të ngjashme ndaj tyre, duke i cilësuar si bllokuese të qëllimshme.
Në këtë situatë pa dalje të qartë, gjithnjë e më shpesh është duke u përmendur mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Këtë opsion nuk e përjashton më as Vetëvendosje dhe as PDK.
“Kosova është një vend i vogël nuk e ka luksin të shkojë çdo 3 muaj ditë në zgjedhje me humb miliona buxhet dhe në të njëjtën kohë të prodhojë të njëjtin rezultat, kjo më tepër kërkon me pas vullnet politik nga pozita dhe opozita që të tejkalohet kjo situatë”, tha Arbënor Sadiku, analist.
Zgjedhjet më shumë shihen edhe mjet presioni për të ulur kërkesat e partive të vogla, në këtë rast Nismës, që kërkon postin e kryeparlamentarit.
“Mund të jetë si një lloj shantazhi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK për Nismën dhe Aleancën që në rast se nuk e votoni këtë qeverinë e pakicës atëherë ne do t'i çojmë në zgjedhje ju nuk do të mund ta kaloni pragun”, tha Sadiku.
Të mërkurën Kuvendi do të mblidhet sërish për zgjedhjen e kryetarit pa ndonjë marrëveshje politike e që ka mundësi të prodhojë edhe të njëjtën rezultat sikurse në katër seancat e kaluara. (A2 Televizion)
Ngërçi politik, s’ka ende marrëveshje, a janë zgjedhjet zgjidhja?
