Mbledhja e Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës u shënua nga përplasje dhe tone të larta mes pushtetit dhe opozitës.
Aty raportoi ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili për dy orë foli lidhur me gjendjen e ushtrisë dhe nivelin e përgatitjes. Përplasja verbale, ndodhi kur deputeti i opozitës, Bekë Berisha kërkoi sqarime lidhur me takimin me Dejona Mihalin, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Gjatë vitit 2023 kemi pasur rritje të buxhetit për 100 për qind, pra nga 102 milionë sa ishte në vitin 2022, është rritur në 204 milionë në vitin 2023. Dhe nga ky buxhet për blerje të sistemeve të armatimit janë shpenzuar mbi 115 milionë euro. Kjo tregon përkushtimin që kemi pasur si qeveri në mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, më saktësisht në blerjen e sistemeve të armatimit të nevojshme për të ngritur kapacitetet e FSK-së dhe vlen të theksohet që me mjetet shtesë që kemi marrë vitin e kaluar, kemi arritur në vlerën prej 2 për qind të GDP-së që është standard i pashkruar për vendet e NATO-s. Blerjet planifikojmë që t’i vazhdojmë edhe këtë vit”, u shpreh Maqedonci.
Ndër të tjera, ministri tregoi se gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar 115 milionë euro për të blerë armatime.
Gjithashtu konfirmoi se në vitin 2023 janë larguar 221 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, zhvillim të cilin nuk e konsideroi shqetësues por pjesë e një trendi global. (A2 Televizion)