Masat kundër Kosovës, Orav: Hiqen vetëm me vendim unanim të BE

Nga Rosalba Bejdo
19 Shkurt 2025, 20:47 | Politikë

Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen atëherë kur të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian të jenë dakord dhe pas diskutimeve të cilat janë në proces e sipër.

Kështu ka deklaruar shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, gjatë vizitës së tij në Prizren me rastin e inagurimit të shkollës publike e mbështetur nga fondet e BE, shkruan A2.

Duke thënë se Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa iu bashkangjitur edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, ai është pyetur se çfarë duhet të bëjë Kosova për t’u anëtarësuar.

“Unë mendoj se është thënë shumë herë nga shumë nivele të BE-së, që BE nuk është e kompletuar para se të gjitha shtetet e Ballkanit t’i bashkëngjiten. Shpresa ime e sinqertë është se kjo do të ndodhë sa më shpejtë. Por, kjo do të thotë që Kosova ka nevojë për shumë ‘detyra të shtëpisë’… Çfarë nevojitet për t’i hequr masat e Kosovës është konsensusi i 27 shteteve të BE dhe pastaj ka plotë diskutime të cilat janë akoma në proces e sipër”, deklaroi Orav.

Ai ka takuar edhe kryetarin e komunës së Prizrenit, Shaqir Totajn. Ambasadori i zyrës së BE-së, Aivo Orav, është shprehur se në këtë takim është biseduar edhe për çështje politike, e për zgjedhjet e fundit në Kosovë: “Biseduam për çështje politike, për zgjedhje, e dimë se votat janë në numërim e sipër. Kemi dëgjuar përqindje të ndryshme si 40 për qind 20 për qind, mirëpo mendimi im është se më i rëndësishmi është 92 përqindshi. 92 për qind të qytetarëve të Kosovës e mbështesin anëtarësimin në BE. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për ne por shumë përgjegjësi e madhe për qeverinë e re për ta përmbushur për qytetarët e Kosovës”.

Orav edhe gjatë ditës së martë ka zhvilluar takime të ndara me liderët e partive politike në Kosovë. Ai ka përmendur se qytetarët e Kosovës duan anëtarësimin në BE, për çka Qeveria duhet të punojë për ta realizuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos