PE kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës, raportuesi Terras kërkon njohjen nga vendet mosnjohëse

Nga Rosalba Bejdo
19 Shkurt 2025, 20:55 | Politikë

Në draft-raportin vjetor për situatën në Kosovë dhe progresin e vendit drejt BE-së, Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, vlerëson përkushtimin e Kosovës për integrim në bllok.

Në raportin që do të paraqitet më 20 shkurt në një seancë të Komisionit të Politikës së Jashtme të PE-së, theksohet se e ardhmja e vendit është në bllok dhe se përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga zona gri, janë në interes edhe të BE-së.

Në këtë draft-raport mbështetet, gjithashtu, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

Dokumenti, të cilin Terras e shkroi pas konsultimeve me partnerët dhe duke marrë parasysh konkluzionet e Komisionit Evropian, nënvizon “progresin domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut”, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.

Në këtë draft-raport kërkohet edhe një herë nga BE-ja që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat i ndërmori në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos