“Nga kriza humbet Kosova”, Rrohde: Politikanët duhet të vendosin shtetin të parin

Nga Erjon Dervishi
28 Maj 2025, 14:22 | Politikë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se Kosova duhet të formojë urgjentisht institucionet dhe se politikanët duhet të vendosin shtetin të parin. Rohde në një prononcim për KosovaPress theksoi se kjo situatë është kthyer në një bllokadë që po ndikon negativisht në perceptimin e Kosovës nga jashtë, shkruan A2 CNN. Rohde tha se mungesa e institucioneve funksionale jo vetëm që ndikon në proceset e brendshme të vendimmarrjes, por gjithashtu pengon Kosovën të përfitojë nga iniciativat ndërkombëtare, siç është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

“E përshkruan fjala, është ngërç, është ndalesë. E thashë javën e kaluar, i bën njerëzit apatik dhe gjëja e fundit që i nevojitet një demokracie të gjallëruar është bllokada. Njerëzit kanë kryer punën e tyre me 9 shkurt dhe politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, ndërsa politikën e partisë të dytën. Pra, mendoj se nevojitet urgjentisht që Kosova të formojë institucionet. Por, nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj por mund të të them për siguri se nuk rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të bësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani. Pavarësisht se a janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, të cilat janë në pritje për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional, pra nuk mund të ratifikosh marrëveshjen.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde thotë se bllokada në Kuvend vjen si pasojë e mos kompromisit mes partive politike.

“Thjeshtë nuk kemi kompromisin që nevojitet mes palëve politike... Nuk jam këtu që të jap nota, unë mund të them se në politikë ka nevojë për kompromis dhe pasi që unë jam ambasadori gjerman sigurisht që mund të marrë parasysh shtetin tim. Ne patëm zgjedhje të vështira, rezultate të vështira, por njerëzit bënë kompromis sepse ata vendosën shtetin të parë. Ne i patëm zgjedhjet dy javë pas Kosovës dhe tani kemi një parlament funksional që nga një muaj dhe shpresoj që Kosova ndjek hapin me neve së shpejti”, potencoi Rohde.

Të martën deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin edhe në përpjekjen e 22-të. As në tentimin e radhës, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos