Presidentja Vjosa Osmani do të fillojë një seri konsultimesh për të gjetur zgjidhjen për ngërçin e krijuar me konstituimin e Kuvendit të Kosovës që ka dështuar për 14 herë radhazi.
A2 CNN ka mësuar nga këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, se konsultimet me forcat politike do të nisin nga data 15 maj.
Ftesat tashmë janë dërguar në selitë e subjekteve për takimet e para dhe në Presidencë po presin konfirmimet.
Ky takim vjen pas shprehjes së gatishmërisë nga Osmani për të pritur liderët e të gjitha partive politike në një takim gjithëpërfshirës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, sqaronte Presidenca pak ditë më parë. (A2 Televizion)