Partia Demokratike e Fierit deklaron se nuk do të njohë rezultatin e 7 kutive që po numërohen aktualisht në KZAZ 60, vetëm nga dy numërues.
Gazetarja e A2 CNN, Ornela Joti raporton se në KZAZ 60, e cila është më e madhja në qytetin e Fierit, numërimi u ndërpre që në orën 12;30, kur nuk ishin numëruar as 24 kuti nga 97 të tilla.
Sipas saj numëruesit e PD dolën me pretendimin se ndiheshin shumë të lodhur dhe vendosën që procesi të shtyhej në mëngjesin e së martës. Ndërkohë PS gjatë komunikimeve me KQZ deklaroi se do riniste procesin e numërimit duke respektuar kodin zgjedhor me dy numërues një i PS dhe një PSD, pasi ambientet monitorohen nga kamerat dhe numëruesit kanë edhe kamera në trup.
“Ndërkohë PD tërhoqi vendimin e parë dhe tha se do rikthehet në orën 6:00 pasdite dhe PS vuri kusht që në 16:00 duhet të fillojmë. Në 16: 00 drejtuesja politike e qarkut Belinda Balluku, Ceno Klosi dhe mbështetësit kanë pritur rinisjen e numërimit. Pasi është komunikuar sërish me KQZ është bërë e ditur të nisë numërimi sipas kodit zgjedhor”, raporton gazetarja e A2 CNN Ornela Joti.
Sipas gazetares së A2 CNN, u numëruan 7 kutitë e para vetëm me dy numërues, ndërkohë PD gjatë këtij procesi erdhi dhe tha se procesverbalin e këtyre 7 kutive nuk do ta firmosë dhe nuk do njohë rezultatin. Pritet përfundimi i këtyre 7 kutive që PD të fusë numëruesit saj. (A2 Televizion)