Ngërçi në Kosovë, mënyra e votimit pritet të përfundojë në Kushtetuese

Nga Ideal Gola
9 Maj 2025, 15:24 | Politikë

Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet për të trembëdhjetën herë kur u mblodh 3 muaj nga dita e zgjedhjeve parlamentare. PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK refuzuan idenë e Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur kreun e Kuvendit përmes votimit të fshehtë duke bërë që seanca të ndërpritet dhe të vijojë pas 48 orësh.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëroi se të hënën do të dërgojnë për intepretim mënyrën e ndryshimit të votimit në Gjykatë Kushtetuese.

“Për shkak të ndryshimit në mes të zgjedhjeve të formës së votimit, nga votimi i hapur në votim të fshehur, ne kemi mbledhur nënshkrimet, do t’i adresohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë shkelje ligjore dhe kushtetuese dhe të hënën do ta dorëzojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Time Kadriaj nga AAK.

AAK tha se kur të mblidhen të dielën në seancë do të tentojnë të marrin edhe nënshkrimet e PDK-së dhe LDK-së.

Këto dy parti thanë se fillimisht do ta analizojnë lëndën dhe do të vendosin nëse do t’i bashkohen iniciativës.

“Për sa i përket dërgimit të rasteve të caktuara në Gjykatën Kushtetuese, PDK-ja vetëm gjatë mandati të ish-Qeverisë Kurti i kemi dërguar 11 dhe i kemi fituar të 11-at, kemi ekspertizën e duhur për të vlerësuar a duhet të dërgohet diçka. Do ta shqyrtojmë pa paragjykim dhe do të marr mendimin e ekspertëve të PDK-së dhe do të komunikoj edhe me kolegët e AAK-së”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Për iniciativa për të dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese që i jep zgjidhje ngërçit politik i cili është krijuar natyrisht që ne analizojmë lëndën dhe jemi për zhbllokimin e situatës”, deklaroi Hykmete Bajrami nga LDK.

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se nuk ka ndonjë shkelje për mënyrën e votimit dhe iu ka kërkuar të gjithë atyre që mendojnë të kundërtën ta dërgojnë lëndën sa më parë në Kushtetuese.

“Ai që mendon që ka shkelje të Kushtetutës, nuk duhet ta mbajë pezull publikun por duhet ta dorëzojë më në fund në Gjykatë Kushteteuse sepse vetëm kështu do të mund të sqarohet a ka apo nuk ka shkelje, ne mendojmë se kjo është vetëm propagandë për të arsyetuar bllokadën”, u shpreh Donika Gërvalla në emër të VV-së.

AAK nuk sqaroi nëse në kërkesën drejtuar Kushtetueses do të përfshihet edhe interpretimi për të kufizuar të drejtën që propozimin për kryetar të Kuvendit të bëhet vetëm nga grupi më i madh parlamentar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos