“Serbia është e pakrahasueshme me Kosovën. Kosova është kampione e Ballkanit.” Me këtë qëndrim, kryeministri Albin Kurti, i drejtohet Bashkimit Europian për të ndarë çështjen e anëtarësimit të Kosovës me atë të dialogut. Shefi i qeverisë nënvizoi se vendi i tij ka interes jetik që ky diferencim të bëhet, pasi është gjithmonë Serbia që bllokon bisedimet e ndërmjetësuara nga Brukseli.
“Tani gjithë ky progres ekonomik dhe demokratik i Kosovës të ngelet peng nga Serbia, që orkestron dhe financon paramilitarë, që synojnë destabilizimin e Kosovës, siç e pamë në fund të shtatorit të vitit të kaluar, nuk është e drejtë. Unë e kuptoj që Bashkimi Evropian e dëshiron fqinjësinë e mirë dhe ne jemi për fqinjësi të mirë, por ajo nënkupton edhe njohje të ndërsjellët de facto. E kuptojmë rëndësinë e fqinjësisë së mirë, por kur mungon fqinjësia duhet të konstatohet përgjegjësi për këtë gjë, dhe nuk është te Prishtina zyrtare por tek Beogradi zyrtarë.”
Kurti komentoi dhe organizimin e peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës, çështje e cila lidhet me heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga BE.
“Për legjitimet më të madh nevojiten zgjedhje të reja, për zgjedhje të reja, duhet të ketë respektim të procedurave ligjore. Masat të cilat dëshirojnë me dhunë të destabilizojnë nuk mund të udhëheqin as me komunat, as me organet shtetërore.”
Thirrja e Kurtit vjen pasi Bashkimi Europian përmes zëdhënësit Peter Stano konfirmoi se dialogu dhe integrimi i Kosovës dhe Serbisë lidhen drejtpërdrejtë me procesin e dialogut. (A2 Televizion)