Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur qëndrimin e saj të palëkundur kundër kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka theksuar se Kosova nuk duhet të bllokohet për shkak të "egos së një personi" dhe se interesi i vendit duhet të jetë mbi interesat e individëve.
“Do të jemi nesër në seancë, qëndrimet tona janë publike, do të veprojmë në formën e njëjtë, nuk do të mbështesim kandidaturën e Haxhiut. Dhe do të kërkojmë që një gjë e tillë të bëhet në bashkëpunim dhe marrëveshje me partitë politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të dalë nga ky ngërç, që ka një emër. Është ngërç i krijuar nga LVV, koalicioni LVV, Alternativa dhe Lista Guxo. Kemi ofruar gatishmërinë tonë për të provuar të ulemi e të ofrojmë zgjidhje si të dalim nga kjo situatë, fatkeqësisht ka mungesë të vullnetit politik nga Albin Kurti dhe koalicioni i tij për të nxjerrë Kosovën nga situata që gjendemi sot”, tha deputetja Deliu-Kodra.
Propozimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që votimi i kryetarit të bëhet me votim të fshehtë deputetja e PDK-së e ka cilësuar si devijim të procedurave dhe ka paralajmëruar se një veprim i tillë mund të ketë pasoja të rrezikshme për demokracinë e Kosovës.
“Nuk mund që me arbitraritet të theksuar një subjekt politik të provojë të instalojë diktat, e para të imponojë një kandidat që nuk merr besimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, e dyta të shkel procedurat, një proces që ka filluar tash e sa kohë, që është procesi i votimit për të zgjedhur kryekuvendarin, të provojë që të ndikojë në procedurat e brendshme të Kuvendit e të ndryshojë formën e votimit. Kjo nuk ndodh në asnjë shtet demokratik, nuk ka ndodhur asnjëherë, dhe është precedent i rrezikshëm për mënyrën se si këta e shohin shtetin.”
Ndërkohë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj akuzoi Lëvizjen Vetëvëvendosje se po përdor strategji abuzive për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja.
“Kjo nuk është vetëm keqpërdorimi individit, sepse në fund të fundit është pranueshmëri e tij e sjelljes politike dhe personale. Por, ky është abuzim me të drejtën e moshës ku e përcakton rregullorja e punës së kuvendit që deputeti më i vjetër, i përkrahur nga deputeti më i ri, duhet ta udhëheqë seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.”
Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë të shtunën për herë të dhjetë të fitojë votat që po i mungojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të legjislaturës nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Nëntë përpjekjet e deritanishme kanë përfunduar pa sukses. (A2 Televizion)