
Biznesmeni dhe veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka reaguar pas një artikulli të publikuar nga gazetari Xhemajl Rexha, në të cilin pretendohet se ai po lobon në Shtetet e Bashkuara kundër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një reagimin në rrjetet sociale, Bajraktari i cilëson të pavërteta këto pretendime dhe sfidon publikisht autorin e shkrimit të paraqesë qoftë edhe një fakt të vetëm që dëshmon se ai ka punuar kundër Presidentes Osmani apo kundër ndonjë presidenti apo kryeministri të Republikës së Kosovës.
Ai shprehet se e ka mbështetur publikisht presidenten Osmani dhe se gjatë gjithë jetës është angazhuar për forcimin e institucioneve të Kosovës.
“Unë e kam mbështetur publikisht Presidenten Vjosa Osmani dhe vazhdoj të qëndroj pas vlerësimit tim se, ajo është kandidatja e duhur për një mandat të dytë si Presidente e Kosovës. Gjatë gjithë jetës sime jam angazhuar për forcimin e institucioneve të Kosovës. Siç e kam theksuar edhe më herët, për mua Kosova është mbi gjithçka!”, shprehet ai.
Për të shmangur çdo keqinterpretim, Bajraktari deklaron qartë se nuk ka ambicie për t’u bërë President i Kosovës.
“Nuk kam ambicie për t’u bërë president i Kosovës. Synimi im është anëtarësimi i Kosovës në NATO brenda pak viteve të ardhshme, dhe në këtë drejtim punoj çdo ditë me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, thekson ai. (A2 Televizion)