Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin në Këshillin e Europës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, gjatë takimit të zhvilluar me ministren e Jashtme, Analena Barbok, në Berlin.
Siç thuhet në një njoftim të Presidencës, Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, por se një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe Presidenti i saj, shkruan A2 CNN.
Në këtë kontekst, Presidentja ka bërë të qartë se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për të adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve, të paqes e stabilitetit rajonal.
Osmani është takuar gjithashtu me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, të cilin e ka falenderuar për mbështetjen e vazhdueshme. (A2 Televizion)