Osmani pa mbështetje të sigurt, çfarë profili të presidentit po kërkon Kurti

Nga Ideal Gola
24 Shkurt 2026, 19:35 | Politikë

Osmani pa mbështetje të sigurt, çfarë profili të

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka një emër për president të ri, ndërsa kandidatura e Vjosa Osmanit nuk po arrin të sigurojë mbështetje të mjaftueshme.

Një ditë më herët, kryeministri Albin Kurti deklaroi se është e kotë të propozohet kandidat, përderisa nuk janë të siguruara 80 votat e nevojshme në Kuvend.

Analistët vlerësojnë se Kurti mund të mos e mbështesë Osmanin për shkak të qëndrimeve të ndryshme që presidentja ka mbajtur herë pas here për çështje të caktuara.

“Ky anim më tepër nga Edi Rama sesa nga Albin Kurti në momente të caktuara, akuzat dhe konstatimet e saj se pa rolin e saj dikush do të ishte në listën e zezë, si dhe fakti që pikërisht në kulmin kur LVV kartën kryesore politike e kishte suksesin në veri, Vjosa Osmani e konsideronte si ‘kazino politike’ këtë sjellje të Qeverisë së Kosovës, kanë lënë vragë dhe kanë krijuar dyshime ndërmjet këtyre dy personaliteteve, gjë që mund t’i kushtojë në përpjekjen për një mandat të dytë presidencial”, tha Afrim Kasolli, analist.

Deri më tani, Osmani nuk ka siguruar as 30 nënshkrime për ta zyrtarizuar kandidaturën, ndërsa as PDK dhe as LDK nuk kanë dhënë sinjale të qarta mbështetjeje.

As Ramush Haradinaj, i propozuar nga AAK, nuk shihet si kandidat konsensual. Ndërkohë, pas një vizite të Kurtit në Prekaz në orët e vona të së dielës, janë shtuar zërat për një kandidaturë të mundshme nga familja Jashari.

Sipas analistëve, Kurti synon një profil presidenti që nuk e sfidon politikisht, as brenda vendit dhe as në raport me faktorin ndërkombëtar.
 
“Edhe nëse vihet te një emër për president, ai duhet të jetë një personalitet i cili nuk e sfidon dhe nuk e rivalizon ndërkombëtarisht rolin e pakontestuar të Albin Kurtit si brenda ashtu edhe jashtë vendit që tash e tutje të transmetohet mesazhi se çkado që partnerët ndërkombëtarë kanë për të negociuar e për të biseduar me shtetin e Kosovës e vemtja adresë mbetet zyra e Kryeministrit të Kosovës”

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota në dy raundet e para të votimit në Kuvend, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. 

Nëse brenda afatit kushtetues nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos