Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar gjatë takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, që Bashkimi Evropian të njohë progresin e Kosovës drejt integrimit dhe t’i hapë rrugë vendit për statusin e kandidatit.
Në një postim në Facebook, Osmani theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e kërkesave evropiane dhe se është koha që BE ta vlerësojë këtë progres. Ajo kërkoi që të hiqen masat diskriminuese ndaj Kosovës dhe të mundësohet një avancim i mëtejshëm në rrugën e integrimit evropian.
"Populli ynë ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave evropiane dhe ka bërë hapa domethënës në rrugëtimin drejt integrimit. Është koha që BE-ja ta njohë dhe vlerësojë këtë progres, përfshirë duke larguar masat e padrejta dhe duke i hapur rrugë Kosovës drejt statusit të kandidatit", deklaroi Presidentja Osmani.
(A2 Televizion)