Osmani takon liderët, Kurti kërkon kohë për të krijuar shumicë parlamentare

Nga Ideal Gola
31 Tetor 2025, 20:53 | Politikë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë nga presidentja Vjosa Osmani në përpjekje për të krijuar një shumicë të re parlamentare pasi më 26 tetor dështoi të votohot kabineti i tij qeveritar.

Presidentja Osmani sipas afateve kushtetuese mund të presë deri të mërkurën më 5 nëntor para se të marr një vendim nëse dëshiron t’ia jap sërish mandatarin Lëvzijes Vetëvendosjes, pasi sipas saj, Kurti nuk e ka të drejtën, shkruan A2.

“Ato aktgjykime me vet faktin që përmend mandatarin tjetër, intepretimi ynë është që nënkupton mandatar tjetër”, tha Osmani.

Takimi i liderëve politikë me Presidenten Osmani zgjati mbi dy orë, ndërsa u shtrua në diskutim edhe mundësia për të gjetur një zgjidhje për buxhetin dhe ratifikimin e marrëveshjeve për Planin e Rritjes së Bashkimit Europian: “Ta kemi një propozim për zgjatjen buxhetore deri më 31 mars të cilën e procedoj unë si presidente dhe Gjykata Supreme nuk ka ndonjë vendim që m’i kufizon mua kompetencat lidhur me një propozim të tillë dhe rrjedhimisht edhe sa i përket Planit të Rritjes që janë dy akte të cilat duhet të ratifikohen, dy marrëveshje ndërkombëtare që duhet të ratifikohen dhe kërkojnë 2/3 edhe për ato ne vend që të procedohet nga Qeveria në detyrë kam propozuar që t’i procedoj unë si presidente”.

Osmani tha se do të jetë në kontakt me liderët deri të mërkurën për të kuptuar nëse ka ndonjë shumicë parlamentare por edhe për çështjen e buxhetit dhe marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti u largua pa u deklaruar për media, duke thënë shkurt se “kushtetuta dhe ligjet janë të qarta”, liderët e tjerë e akuzuan se po tenton të fitojë kohë.

Memli Krasniqi, kreu i PDK, tha: “Nga 111 [deputetë] së paku 54 ndoshta 55 u deklaruan se nuk votojnë dhe nuk janë pjesë e asnjë shumice, kështu që prap z. Kurtit maksiumum mbetet te 56 ndoshta edhe 57 por s'besoj që as 57 që mundet t’i bëjë, as për vete, as për dikë tjetër”.

Lumir Abidixhiku i LDK deklaroi: “U dëshmua ajo që LDK kishte thënë gjithëherë që në Kosovë sipas rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit nuk ka shumicë parlamnetare, dhe pikërisht ky ishte deklarimi i përfaqësuesve të 52 deputetëve shqiptarë që praktikisht janë shumica shqiptare”.

Ramush Haradinaj i AAK u shpreh: “Besoj që më 5 nëntor do ta marrim edhe lajmin që do të shpërbëhet parlamenti, pastaj caktimi i datës së zgjedhjeve që do të ishte në interes të Kosovës që data e zgjedhjeve të caktohet në afatin më të shpejt kohor pra në 30 ditë”.

E pyetur nga A2 CNN edhe për çështjen e presidentit, meqë po ndërlidhet me mundësinë e një tjetër palë zgjedhjeje të jashtëzakonshme në pranverë, presidentja Osmani tha se është hedhur në diskutim një ide e re: “U diskutua edhe mundësia që të kemi zgjedhje të drejtpërdrejtë të institucionit të presidentit nga populli, mundësi që unë e përkrah plotësisht dhe e kam përkrahur që nga viti 2010 e tutje”.

Nëse deri të mërkurën, askush nga partitë nuk e merr mandatin, atëherë zgjedhjet mund të mbahen jo më larg se 14 dhjetori. Ndërsa nëse ka një mandatar tjetër, atij do t’i jepen edhe dy javë kohë për votim në Kuvend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos