Paqja vjen vetëm përmes aleancave dhe partneriteteve. Kështu është shprehur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalimit në darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s, shkruan A2 CNN. Osmani shprehu mirënjohje për rolin e shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që siç tha ajo sollën paqe në një rajon të Evropës që “nuk kishte njohur kurrë paqe më parë”.
“Sot, teksa mblidhemi me temën e paqes dhe prosperitetit, duhet të fillojmë me një të vërtetë të thjeshtë por të fuqishme: paqja rrallë herë është e trashëguar, është e ndërtuar dhe është në mënyrë konstante e ushqyer dhe e mbrojtur. Por, më e rëndësishmja është se paqja nuk vjen kurrë duke ecur vetë apo izoluar. Kjo paqe vjen nëpërmjet partneriteteve dhe aleancave. Sot, unë përfaqësoj republikën e lirë dhe sovrane të Kosovës, një tokë, zëri i së cilës një kohë u hesht në luftë, por tani flet në gjuhën e shpresës, në gjuhën e paqes dhe në gjuhën e mirënjohjes. Mbi të gjitha, ne i detyrohemi falënderim burrave dhe grave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s, edhe ata në uniformë, edhe diplomatët në kostum, që qëndruan me neve, kur bota na u duk shumë terr. Ushtarët e SHBA-së dhe NATO-s erdhën jo vetëm si paqe-bërës, por si heronj, si mbrojtësit tanë dhe si shokët tanë. Në momentet tona më të brishta, prezenca e tyre u bë strehë jo vetëm për shtëpitë tona por edhe ëndrrat tona, sepse falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një komb i tërë pati guxim të ngrihej nga hiri. Këta heronj nuk erdhën për lavdi, ata erdhën sepse besonin në të drejtat thelbësore të çdo qenie njerëzore, të jetojë i lirë nga shtypja”, tha Osmani gjatë fjalimit.
Osmani falënderoi ushtarët dhe diplomatët që shërbyen në Kosovë “në orët më të vështira të historisë sonë”.
“Drejtuar SHBA-së dhe të gjithë partnerëve në NATO: përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para, ju na keni dhënë arsye të qëndrojmë si kombi më pro-amerikan dhe pro-NATO në tokë. Dhe drejtuar çdo ushtari amerikan që ka ecur në rrugët tona, ka mbrojtur qytezat tona dhe ka qëndruar rojtarë i shpresës tonë, ne e themi këtë me sinqeritet të palëkundshëm: shërbimi juaj nuk do të shkojë dëm dhe do të keni gjithmonë një shtëpi në Kosovë. Paqja jonë dhe liria jonë është përgjithmonë e lidhur me trimërinë e juaj dhe mirënjohja jonë është e përjetshme”, tha Osmani.
Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. (A2 Televizion)