Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për herë të 21-të radhazi të konstituojnë legjislaturën e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Dështimi për të konstituuar Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik, duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, shkruan A2.
Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 27 maj në orën 11:00. Pro votimit të komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit votuan 53 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim. Në sallën plenare kanë qenë të pranishëm 90 deputetë.
Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të ecur përpara me krijimin e institucioneve, përfshi këtu edhe paralajmërimin e fundit të Shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të reflektojë. Ajo tha se qytetarët në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë votuar për bllokadë, por për ndërtim të institucioneve të reja.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryezu, tha për mediat se procesi nuk do të bllokohet nga subjektet politike. Sipas saj problem nuk është tek emri por një arsye bllokuese prapa së cilës qëndron opozita. Por sipas saj LVV nuk do futet në këto pazare politike.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj. (A2 Televizion)