I “zgjatet jeta” EULEX-it, Kallas: Siguria e Kosovës, thelbësore për Europën

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 17:45 | Politikë

Kaja Kallas deklaroi se një Kosovë e sigurt është thelbësore për të gjithë Europën. Pas takimit me komandantin e KFOR-it, Enrico Berduani, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së erdhi me helikopterë në bazën e EULEX-it në Mitrovicë.

Para trupave dhe personelit të Misionit të Bashkimit Europian për Sunim të Ligjit, Kallas konfirmoi se EULEX do t’i zgjatet mandati edhe për dy vite të tjera për shkak të rolit të tij në sigurinë e Kosovës.

Ajo përmendi reagimin në rastet e sulmit terrorist të Banjskës dhe dhunës dy vite më parë si shembull të mirë por edhe angazhimin në mbështetje të sundimit të ligjit dhe zbardhjes së fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit.

Nga Mitrovica, Kallas sërish përmendi krijimin e institucioneve të reja.

“Ju siguruat që prania e Bashkimit Europian të ishte e dukshme në të gjithë Kosovën gjatë periudhave veçanërisht të tensionuara, ndërkohë që qetësonit qytetarët e të gjitha komuniteteve për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre. Dje fola me udhëheqësit e partive kryesore politike këtu në Kosovë dhe i inkurajova ata të shfrytëzojnë momentin dhe të formojnë institucionet”, tha Kallas.

Kallas lavdëroi edhe bashkëpunimin e EULEX-it me KFOR-in si qenësore për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

“EULEX është misioni më i madh civil i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) dhe i vetmi që operon në Ballkanin Perëndimor. Kjo ndodh sepse një Kosovë e sigurt dhe e begatë është thelbësore për sigurinë më të gjerë europiane dhe është një dëshmi e përkushtimit të Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe rrugës së saj të anëtarësimit”, deklaroi shefja e diplomacisë.

Kallas u njoftua për të gjithë kapacitetet e EULEX-it në Kosovë, ndërsa vlerësoi për kontributin e këtij misioni edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos